U kapën me lekë dhe fletë votimi në makinë para zgjedhjeve, SPAK mbyll hetimet për dy eksponentët e LSI-së

Politikë | 5 vite më parë

SPAK ka përfunduar hetimet për Denis Xholin dhe Albjon Çekun, të cilët akuzohen për blerje votash gatë fushatës zgjedhore të 25 prillit 2021 dhe ka dërguar dosjen për gjykim në GJKKO. Të rinjtë, eksponentë të Lëvizjes Socialiste për Integrim akuzohen për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.  

Denis Xholi  dhe Albjon Çeku u kapën 3 ditë para ditës së zgjedhjeve të 25 prillit në Maqellarë të Dibrës nga militantë të PD, me në krye Xhelal Mziun, të cilët thirrën policinë. Më pas efektivët sekuestruan automjetin me të cilin udhëtonin dy të rinjtë ku u gjet një shumë rreth 500 mijë lekë, modelar për të orientuar zgjedhësit për mënyrën e votimit si dhe fletëpalosje të një subjekti politik. 

SPAK thotë se nga hetimet Denis Xholi në bashkëpunim me Albjon Çekun, kanë shpërndarë në Njësinë Administrative Maqellarë shuma monetare tek persona të tjerë, me qëllim përcaktimin e mënyrës së votimit të zgjedhësve, në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Sipas SPAK, Denis Xholi ka ushtruar funksionin e përgjegjësit të zyrës juridike në Bashkinë Bulqizë, në kundërshtim me parashikimet e nenit 91 të Kodit Zgjedhor, gjatë orarit të punës është vënë në mbështetje të kandidatëve për deputetë dhe të subjekteve zgjedhore. Vetëm një ditë më parë GJKKO vendosi masën “arrest shtëpie” për Etjon Jokën, kandidati i LSI për deputet i Tiranë, i akuzuar gjithashtu për blerje votash gjatë zgjedhjeve të 25 prillit. Joka garoi në zonën njësisë numër 1 në Tiranë nën siglën e LSI, ndërsa u filmua dy ditë para zgjedhjeve duke i dhënë qytetarëve 100 dollarë në këmbim të votës.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme