U punësua si analiste politike në NBC News, gazetarët ngrihen live kundër koleges: Nuk punojmë me të

Ish-kryetarja e Komitetit Kombëtar Republikan, Ronna McDaniel është pushuar nga puna nga rrjeti televiziv NBC News, vetëm pak ditë pasi ishte punësuar si analiste politike me pagesë. McDaniel ishte rekomanduar nga vetë presidenti i NBCUniversal News Group, por drejtorët dhe të gjithë gazetarët refuzuan të punonin me të, duke e shprehur këtë mendim live nëpër emisionet e tyre. Kjo ka bërë që NBC News të tërhiqet nga vendimi dhe ta pushojë nga puna Ronna McDaniel.
Punësimi i saj shkaktoi reagime të forta nga drejtuesit kryesorë të televizionit, pasi McDaniel akuzohet se përdori pozicionin e saj të pushtetit për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020 dhe ka bërë sulme ndaj shtypit.
“Për të qenë të qartë, ne besojmë se NBC News duhet të kërkojë zëra konservatorë republikanë për të siguruar ekuilibër në mbulimin e tyre zgjedhor, por duhet të jenë republikanët konservatorë, jo një person që përdori pozicionin e saj të pushtetit për të qenë një mohuese e zgjedhjeve antidemokratike”, tha live një nga moderatorët e emisionit “Morning Joe”.
Vetë presidenti i rrjetit televiziv ka kërkuar falje për punësimin e saj.
“Nuk ka dyshim se ditët e fundit kanë qenë të vështira për Grupin e Lajmeve. Pasi dëgjova shqetësimet legjitime të shumë prej jush, kam vendosur që Ronna McDaniel nuk do të jetë një bashkëpunëtore e NBC News. Dua t’u kërkoj falje personalisht anëtarëve të ekipit tonë që menduan se ne i zhgënjyem. Ndërsa ky ishte një rekomandim kolektiv nga disa anëtarë të ekipit tonë udhëheqës, unë e miratova atë dhe mbaj përgjegjësinë e plotë për të”, tha Presidenti i NBCUniversal News Group, Cesar Conde në një deklaratë drejtuar stafit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




