U zgjodh në krye të PD, Berisha: Mrekulli e vërtetë shqiptare e shekullit të XXI

Politikë | 4 vite më parë

“Mrekulli shqiptare të shekullit të XXI”, kështu e ka cilësuar fitoren e tij në garën për kreun e PD-së Sali Berisha. Në fjalën e tij nga selia blu, Berisha u shprehse demokratët janë përballur përgjatë kësaj periudhe me “pengesa të jashtëzakonshme”, por shton se ja arritën të “bënin historinë në një proces të mrekullueshëm”, referuar procesit të votimit për kreun e PD.  

“U krye! U krye, jo zgjedhja e Sali Berishës, por mrekullia e vërtetë shqiptare e Shqipërisë në shekullin të XXI. Nuk kam ndonjë fjalim të gjatë sot, por kam një përulje të madhe, dhe një mirënjohje të pakufishme për të gjithë ata burra dhe gra, djem e vajza që në një hark kohor ngadhënjyen si njerëz të lirë në një proces që do të regjistrohet në historinë e lirisë së shqiptarëve si mrekullia e vërtetë e shekullit të 21-të. 31 vite më parë, një mik i madh i kombit tonë në vizitën e tij historike, James Baker, do t’u thoshte shqiptarëve se ju do jeni të lirë të zgjidhni udhëheqësit tuaj. Dëshmitar i pengesave të jashtëzakonshme, por anëtarët dhe anëtaret e PD, njerëz të idealeve më të larta, më fisnike, njerëz të lirë, bënë historinë në një proces të mrekullueshëm”, tha Berisha.

Duke shprehur mirënjohjen ndaj demokratëve që e votuan, Berisha theksoi se tashmë detyra e opozitës është të ‘luftojë’ përballë PS, duke e konsideruar qeverisjen e kryeministrit Edi Rama si një “regjim”.

“Ndaj dhe mirënjohja shkon drejt të gjithë atyre. Kam një mirënjohje të pakufishme për të gjithë ata anëtarë që sot këtë ditë të 22 majit lanë të gjitha obligimet dhe votuan për të zgjedhur si qytetarë të lirë kryetarin e Partisë Demokratike. Ky besim i jashtëzakonshëm i tyre është për mua detyrim i madh, detyrim shumë i madh, por unë kam bindjen se së bashku me ju, ne do t’ia dalim, ne jemi në mision, ne jemi burra dhe gra, djem dhe vajza, që kemi për pasion lirinë, që kemi për mision proceset që njohin PD t’i njohë shoqëria shqiptare dhe të shpëtojmë Shqipërinë nga një regjim që kurrë nuk e meriton. Në mënyrë të veçantë mirënjohja ime shkon për të rinjtë shqiptarë. Duhet ta pranoj se ishin ata promotorët kryesor të kësaj lëvizje. Ndaj dhe betimi im para tyre dhe mbarë shqiptarëve: Do të bëj gjithçka që ëndrrat e tyre më të bukura të bëhen realitet në këtë vend. Ai që realizon ëndrrat e tij ai është pafundësisht i detyruar të bëjë gjithçka për të realizuar ëndrrat e bukura të të tjerëve”, theksoi ai.

Sali Berisha ka rimarrë drejtimin e partisë më të madhe opozitare në vend pas 9 vitesh, pasi fitoi garën përballë Ibsen Elezit. Sipas të dhënave të komunikuara nga Komisioni i Rithemelimit, Berisha mori 93.45% të totalit të votave, përkundrejt 5.8% që mori Elezi.

Kujtojmë se SHBA, që e ka shpallur Sali Berishën person “non grata”, ka paralajmëruar se do të ndërpresë marrëdhëniet me PD-në nëse në krye të partisë zgjidhej ish-kryeministri. Ndërkohë ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga SHBA mbi qëndrimit që do të mbajë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme