Udhëheqësit botërorë shprehin ngushëllimet, ofrojnë ndihmë pas tërmetit vdekjeprurës në Turqi

Pas tërmetit të fuqishëm që goditi Turqinë dhe Sirinë, Shtëpia e Bardhë ka lëshuar një deklaratë duke thënë se presidenti amerikan Joe Biden ka udhëzuar qeverinë federale që të përgatisë ndihmën amerikane.
“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga raportimet për tërmetin e sotëm shkatërrues në Turqi dhe Siri. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë çdo ndihmë të nevojshme. Presidenti Biden ka udhëzuar USAID-in dhe partnerët e tjerë të qeverisë federale që të vlerësojnë opsionet e reagimit të SHBA-së për të ndihmuar ata që janë më të prekurit. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën në koordinim me qeverinë e Turqisë”, tha Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan.
Shtetet e Bashkuara aktualisht kanë një gamë të gjerë sanksionesh ekonomike të vendosura ndaj Sirisë dhe presidentit sirian Bashar al-Assad
Ngushëllime për jetët e humbura ka shprehur dhe diplomati i lartë i BE–së, Joseph Borrell, i cili tha se blloku i 27 vendeve është gati të ndihmojë Turqinë dhe Sirinë pas tërmetit shkatërrues, i cili ka vrarë qindra vetë.
“Një tërmet shkatërrues tronditi Turqinë dhe Sirinë mëngjesin e sotëm, duke marrë jetën e qindra njerëzve dhe duke plagosur shumë të tjerë. Mendimet tona janë me popullin e Turqisë dhe Sirisë. BE-ja është e gatshme të ndihmojë”, tha Borrell.
Me Turqinë është solidarizuar po ashtu edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, i cili tha se aleatët e NATO-s po mobilizojnë mbështetjen.
“Solidaritet i plotë me aleatin tonë #Turkiye pas këtij tërmeti të tmerrshëm. Unë jam në kontakt me Presidentin Erdogan dhe ministrin e Jashtëm MevlutCavusoglu dhe aleatët e NATO-s po mobilizojnë mbështetjen tani”, tha ai.
Edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dërgoi ngushëllimet më të thella për viktimat e fatkeqësisë ndërsa shprehu solidaritetin e plotë të BE-së.
“Me pikëllim të thellë dëgjova këtë mëngjes për tërmetin shkatërrues që goditi pjesë të Turqisë dhe Sirisë. Ngushëllimet e mia më të thella për shumë familje që humbën jetën dhe uroj një shërim të shpejtë të të plagosurve. BE qëndron në solidaritet të plotë me ju“, shkroi ai në Twitter të hënën .
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen deklaroi se mbështetja nga Evropa për vendet e prekura nga tërmeti, është nisur.
“Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me popullin e Turqisë dhe Sirisë pas tërmetit vdekjeprurës që goditi këtë mëngjes. Ne vajtojmë me familjet e viktimave. Mbështetja e Evropës është tashmë në rrugë dhe ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të ndihmojmë në çdo mënyrë që mundemi”, tha ajo në një postim në Twitter të hënën.
Gjithashtu edhe Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, ka shprehur ngushëllimet dhe ndihmën e tij për vendet e prekura nga tërmeti.
“I pikëlluar për humbjen e jetëve në Turqi dhe Siri pas tërmetit të madh. Mendimet tona shkojnë te viktimat dhe të dashurit e tyre. Unë i kam dërguar ngushëllimet më të thella Tajip Erdoganit. Si partner i Turqisë dhe mbajtës i presidencës së BE-së, ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetjen tonë”, tha Kristersson.
Kryeministri holandez Mark Rutte, teksa shprehu ngushëllimet për jetët e humbura, bëri me dije se ekipi holandez i kërkim-shpëtimit, do t’i bashkohet kërkimit të të mbijetuarve në Turqi dhe Siri. “Mendimet janë me të gjitha viktimat e kësaj fatkeqësie të rëndë natyrore”, shkroi Rutte.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, tha se Greqia gjithashtu do të “mobilizojë burimet e saj” dhe do të ndihmojë zonat e prekura “menjëherë”. Udhëheqësit e Serbisë dhe Suedisë kanë premtuar gjithashtu se do të dërgojnë ndihmë në rajon.
Azerbajxhani do të dërgojë një ekip kërkimi dhe shpëtimi prej 370 personash dhe materiale ndihme në Turqi. Një aeroplan që transporton ndihma, duke përfshirë tenda dhe furnizime mjekësore, do të niset për në Turqi në një kohë të shkurtër.
Edhe Rusia ka shprehur gatishmërinë për t’i ardhur në ndihmë Turqisë. Presidenti rus Vladimir Putin do të dërgojë dy avionë Il-76 me shpëtimtarë në Turqi për të ndihmuar në eliminimin e pasojave të tërmetit vdekjeprurës.
Ministria e Emergjencave të Rusisë ka vënë në gatishmëri 100 staf të skuadrës së shpëtimit të aeroplanit Centrospas dhe Qendrës Udhëheqëse për Operacionet e Shpëtimit me Rrezik të Lartë.
Presidenti francez Emmanuel Macron i përshkroi imazhet që vijnë nga të dy vendet si “të tmerrshme” dhe tha se Franca është e gatshme të ofrojë ndihmë urgjente.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz u shpreh se vendi i tij mban zi me të afërmit e viktimave dhe shprehu mbështetjen për ndihma ndaj Turqisë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dërgoi ngushëllimet e tij për qytetarët e Turqisë dhe tha se ai kishte udhëzuar të gjitha autoritetet të përgatiten menjëherë për të ofruar ndihmë mjekësore dhe shpëtimi.
Qeveria indiane tha se 100 personel të reagimit ndaj katastrofave, si dhe skuadra qensh të trajnuar posaçërisht, ishin gati për t’u fluturuar në zonat e prekura, dhe se ekipet mjekësore dhe furnizimet po përgatiteshin gjithashtu.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




