Ulen çmimet e roaming-ut mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

Rajon | 4 vite më parë

Tridhjetë e tetë operatorë të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor kanë rënë dakord që kanë rënë dakord të zvogëlojnë dallimin ndërmjet çmimeve për shërbimet e telefonisë mobile për qytetarët dhe bizneset.

Për këtë marrëveshje u arrit pajtim në samitin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, mbajtur në dhjetorin e kaluar, në Tiranë.

Nëpërmjet marrëveshjes së tyre vullnetare, operatorët u angazhuan për të reduktuar ndjeshëm hendekun midis tarifave të roaming dhe tarifave të brendshme për përdorimin e të dhënave për qytetarët që udhëtojnë ndërmjet BE-së dhe rajonit.

Nivelet maksimale të çmimeve të shitjes me pakicë (‘kufijtë e çmimeve’) për 1 gigabajt do të ulen nga tetori 2023 në 2028 si më poshtë: 18 € nga 1 tetori 2023, 14 € nga 2026 dhe 9 € nga 2028. Rishikimet vjetore janë parashikuar për të vlerësuar ndikimet dhe më pas marrja e hapave, sqarohet në njoftimin e KE-së. 

Nënshkrimi i marrëveshjes për reduktimin e çmimeve të roaming-ut u mirëprit nga komisionari evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

“Kjo marrëveshje vullnetare do t’i bëjë gjërat të parashikueshme, do të ndihmojë në eliminimin e befasive në faturat e konsumatorëve dhe do mundësojë reduktime të ndjeshme të kostove të roaming-ut për konsumatorët nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor”, ka thënë komisionari Varhelyi.

Marrëveshja pritet të reduktojë shpenzimet për konsumatorët që udhëtojnë ndërmjet BE-së dhe rajonit, për të paktën një të tretën e çmimeve mesatare aktuale.

“Ulja e çmimeve nxit dhe thjeshtëzon shkëmbimet e biznesit, ato kulturore, turistike dhe të tjera ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke forcuar lidhjet ndërmjet rajoneve fqinje,” thuhet në njoftimin e KE-së.

Gjithashtu “Operatorët aktualisht po punojnë për krijimin e produkteve me çmime më të vogla se ato për të cilat u arrit pajtim, që do të jenë në dispozicion për blerje nga numri më i madh i mundshëm i konsumatorëve”, vijon njoftimi.

 KE-ja i ka ftuar edhe operatorët e tjerë telefonikë nga BE-ja dhe rajoni për t’iu bashkuar iniciativës

Ndërkohë prej 1 korrikut të vitit 2021, rajoni i Ballkanit Perëndimor është zonë ku nuk aplikohen tarifat e roaming-ut.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme