Unaza e Re e Tiranës gati tremujorin e fundit të vitit

Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ergys Verdho deklaroi se puna për ndërtimin e Unazës së Re do të përfundojë në tremujorin e fundit të këtij viti.
Gjatë një interviste televizive, Verdho shpjegoi planin e menaxhimit të qarkullimit të mjeteve që parashikon të sjellë lehtësim të trafikut duke hapur fillimisht dy nënkalimet e para.
“Nesër pas orës policore në orën 20:00, fillon puna për bërjen funksionale të planit të menaxhimit të trafikut në sheshin ‘Shqiponja’. Jemi të fokusuar në zonën e ‘Astirit’. Ne sot kemi një hyrje për në Tiranë nga Durrësi. Kemi semafori afër urës së Lanës që devijon për në fushën e helikopterëve. Kemi po daljen nga Tirana në këtë segment që bashkohet me daljen tjetër pr të ikur në Durrës dhe kjo skemë për 10 ditë nuk lëviz. Ajo që lëviz nesër është skema tek ‘Astiri’”, tha ai.
Që të vazhdojnë punimet në pjesën qendrore të zonës së “Astirit” e cila do të jetë një segment i futur nëntokë dhe me një pjacë sipër që rregullon rrugët, tha Verdho, “kemi bërë të mundur zhvendosjen e aksit kryesor “Teodor Keko”, në rrethrrotullimin e tanishëm të Astirit.
“Ata që duan të shkojnë drejt Pallatit me Shigjeta drejt sheshit Shqiponja do të devijojnë majtas në Astir dhe do të vazhdojnë në të njëjtin itinerar tek rruga ‘Teodor Keko’. Ky plan pune i hap rrugë punimeve në lotin 2 (për nënkalimin) dhe loti 3 (mbikalimin) dhe pjaca që do të rregullojë qarkullimin e të dy kaheve të unazës”, u shpreh Verdho.
Dinamika që ofron ndërtimi i kësaj vepre, sipas tij, kërkon që herë pas here të ndryshojmë planin e manaxhimit të trafikut me qëllim lehtësimin e qarkullimit.
“Pas 10 ditësh dalja nga Tirana drejt të Durrësit do të zhvendoset nga kahu i Tiranës që del dhe rregullohet në një rrethrrotullim drejt rrugës ‘Dritan Hoxha’ që deri tani nuk e kemi pasur në përdorim. Rruga nga Shqiponja-Zogu i Zi nuk do të mbyllet. Pas 10 ditësh të tjera, nënkalimet do të jenë funksionale me asfalt dhe sinjalistikën e nevojshme dhe ndriçim. Kjo lëvizje bëhet për t’i hapur shteg ndërtimit të nënkalimit numër 5″, tha Verdho.
Ai deklaroi se “me futjen e nënkalimit 3 në përdorim aksesi në Tiranë do të jetë shumë fluid dhe dalja nga Tirana do të jetë më e përmirësuar”.
“Sheshi Shqiponja ka ardhur si bashkëpunim me bashkinë e Tiranës. Çdo gjë që bëhet në trafik do të jetë nëntokë. Kjo solli një reaksion domino për dy lotet e para ku u ndryshuan projektet. Loti 2 ka qenë unaza sipër”, theksoi Verdho.
“Kemi futur unazën poshtë. U bë dhe një ndryshim tjetër në projektin e urës së Lanës për shkak të projektit të ri që ka bashkia e Tiranës për lumin e Lanës. Sot kemi dy kahet e reja të urës gati në mbarim. Ne do fusim trafikun në këto dy kahe të reja”, deklaroi Verdho.
Punimet për Unazën e Re të Tiranës, nisën në muajin tetor të vitit të shkuar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




