Unaza e Shkozetit me dëmtime, mjetet e rënda dëmtojnë asfaltin

Unaza e Shkozetit në qytetin e Durrësit ndodhet në gjendje të rëndë në një pjese të mirë të saj. Kjo unazë lidh autostradën Tiranë-Durrës me mbikalimin e Plepave dhe është një nga akset më të ngarkuara në vend.
Me një gjatësi prej afro 3 km, në këtë aks rrugor kalojnë të gjitha automjetet që vijnë nga veriu i vendit dhe Tirana me destinacion jugun e vendit.
Duke nisur nga mbikalimi i plepave drejt autostradës, në një gjatësi prej rreth 1 km kjo rrugë është gjithë gropa. Asfalti është dëmtuar rëndë, pasi në këtë rruge kalojnë automjete të tonazheve të ndryshme.
Gropat e shumta janë kthyer në një stres të madh për drejtuesit e automjeteve, ndërkohë që dëmet në këto të fundit janë më se të sigurta. Në këtë periudhë të vitit unaza e Shkozetit është mjaft e ngarkuar edhe për shkak të sezonit turistik.
Nuk dihet nëse Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka ndonjë plan për riparimin e asfaltit të dëmtuar, i cili veç dëmeve mbi automjetet që kalojnë aty, shkakton edhe trafik të rënduar.
Gazetar: Norel Zaimi
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




