UNICEF: Mbi 330 milionë fëmijë në varfëri ekstreme në mbarë botën

Botë | 3 vite më parë

Pandemia e koronavirusit ka ngadalësuar luftën kundër varfërisë së fëmijëve, me 333 milionë prej tyre që jetojnë në varfëri ekstreme globalisht, zbulon një raport i përpiluar nga UNICEF dhe Banka Botërore.

Sipas raportit, një në gjashtë fëmijë në mbarë botën jeton me më pak se 2.15 dollarë në ditë, i cili nënvizon se nëse nuk do të kishin nisur pasojat e pandemisë, do të mund të ishin nxjerrë nga varfëria më shumë se 30 milionë fëmijë.

“Krizat, për shkak të pasojave të pandemisë, konfliktet e armatosura dhe ndryshimet klimatike, kanë penguar progresin, duke lënë miliona fëmijë në varfëri ekstreme”, tha drejtoresha e përgjithshme e UNICEF-it, Ketrin Rasëll (Kathryn Russell) në një deklaratë për shtyp.

“Një botë në të cilën 333 milionë fëmijë jetojnë në varfëri ekstreme, të privuar jo vetëm nga plotësimi i nevojave të tyre më elementare, por edhe nga dinjiteti, mundësia, shpresa është thjesht e patolerueshme”, shtoi ajo.

Varfëria ekstreme prek 40% të fëmijëve në Afrikën Sub-Sahariane, shkalla më e lartë në botë. Ndryshe nga rajonet e tjera të botës, të cilat kanë regjistruar një ulje të varfërisë së fëmijëve në vitet e fundit, Afrika Sub-Sahariane ka parë rritje të saj, për shkak të rritjes së shpejtë demografike, pandemisë së koronavirusit dhe të ashtuquajturave fatkeqësi natyrore.

Banka Botërore dhe UNICEF po u bëjnë thirrje qeverive që t’i japin përparësi luftës kundër varfërisë së fëmijëve dhe të miratojnë një sërë masash, në veçanti zgjerimin e programeve të përfitimeve universale familjare.

Konkluzionet e raportit tregojnë se qëllimi ambicioz i vendosur nga OKB-ja për t’i dhënë fund varfërisë ekstreme të fëmijëve deri në vitin 2030 po dështon./ CNN.gr

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme