Urdhëri i Çuçit, Xhaçkës dhe Ibrahimajt, rregulla të reja për mbledhjen e të dhënave personale për të huajt në Shqipëri

Aktualitet | 3 vite më parë

Ministria e Brendëshme, e Jashtme dhe ajo e Financave, kanë nxjerrë një urdhër të përbashkët, lidhur me mbledhjen, përpunimin, evidentimin dhe fshirjen e të dhënave personale për të huajt që gjenden ose vijnë në Shqipëri. Urdhëri është firmosur nga ministri i Brendshëm, Bledar Çuçi, ajo e Jashtme Olta Xhaçka, si dhe ajo e Financave, Delina Ibrahimaj. 

Të dhënat personale të shtetasve të huaj, të cilët janë pajisur me vizë, me leje qëndrimi, leje unike ose  rezultojnë të parregullt në Republikën e Shqipërisë, në bazë të këtij urdhëri që publikohet nga rtsh.al, do të mblidhen dhe administrohen nga autoritetet shtetërore përgjegjëse për trajtimin e të huajve si: Departamenti për Kufirin dhe Migracionin dhe drejtoritë vendore për kufirin dhe migracionin, Drejtoria e Përgjithshme e  Policisë së Shtetit; Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive/drejtoritë rajonale të AKPA-s, Ministria për Financat dhe Ekonominë; Drejtoria e Çështjeve Konsullore, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. 

Autoritetet përgjegjëse për mbledhjen e të dhënave 

Autoritetet përgjegjëse shtetërore mbledhin dhe administrojnë nga organet shtetërore, subjektet private, shtetas shqiptarë apo të huaj, të dhëna personale për të huajt vetëm në funksion të procedurave të pajisjes me vizë, pajisjes me  leje qëndrimi dhe leje unike, procedurave të miratimit për punësim dhe deklarimit për punësim.

Mbledhja dhe përpunimi i të dhënave personale të shtetasve të huaj, do të kryhet vetëm nga personat e autorizuar në autoritetet përgjegjëse, të listuara sa më sipër.

Detyrimet për personat që mbledhin të dhënat

Personat e autorizuar për mbledhjen dhe  përpunimin e të dhënave, si dhe ata që kanë akses në këto të dhëna, për shkak të detyrës, i nënshtrohen detyrimit të ruajtjes së konfidencialitetit dhe mospërhapjes së asnjë të dhëne personale, përveç kur parashikohet ndryshe me ligj.  

Mbledhja dhe përpunimi i të dhënave personale do të kryhet vetëm për qëllime legjitime të përcaktuara qartë, duke respektuar dhe garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe në veçanti, të drejtën e ruajtjes së jetës private. 

Ruajtja e të dhënave personale

Urdhëri parashikon se të dhënat duhet të mbahen dhe të arkivohen në formë shkresore dhe elektronike, dokumentacioni i të cilave do të ruhet nga autoriteteti shtetërore përgjegjëse, sipas  afateve: 

a) për një periudhë 5- vjeçare pas skadimit të vlefshmërisë së vizës ose të lejes së përkohshme të qëndrimit;

b) për një periudhë 10-vjeçare nga përfundimi i procedures ndëshkuese administrative ose penale;  

c) për personat e shpallur si të padëshiruar për një periudhë më shumë se 10 vjet, afat i ruajtjes së të dhënave është i njëjtë me atë të  përcaktuar në urdhrin me të cilin i huaji është  shpallur person i padëshiruar.

Të dhënat e arkivuara nuk përdoren për qëllime të tjera, që nuk janë në përputhje me qëllimin e mbledhjes dhe të përpunimit të tyre.

/rtsh.al/ a.meta/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme