Vazhdojnë punimet intensive në Rrugën e Arbrit!

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka njoftuar se ndërsa ka përfunduar puna për ndërtimin e të gjitha segmenteve rrugore të Rrugës së Arbrit, ende kanë mbetur edhe 400 metra pa hapur në tunelin e Murrizit, prej 3.8 km.
“Segmentet e Rrugës së Arbrit prej 70 km janë të hapura për qarkullimin e mjeteve, ndërsa problematikë e madhe është hasur në tunelin e Murrizit, çka ka bërë edhe shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve”, tha zonja Balluku, pasi inspektoi tynelin.
Problemet gjeologjike kanë bërë që ky tunel të mos përfundojë në afatin e paracaktuar, prill 2022, por punimet të shtyhen edhe për 17 muaj.
Zv/kryeministrja Balluku njoftoi se aktualisht janë betonuar 2.2 km në të dy portat e tunelit prej 3.8 km.
Në javën e parë të muajit gusht hapen përfundimisht akset rrugore nga dalja e tunelit deri në Shkallën e Tujanit në bajpasin e Murrizit për të zbritur në daljen e tunelit deri në Maqellarë.
“Gjeologjia solli vonesat në ecurinë e këtij projekti, por puna nuk është ndalur dhe nuk do të ndalet deri në përfundimin dhe hapjen e plotë të tunelit, i cili bën të mundur që i gjithë qarku i Dibrës të jetë akoma edhe më afër me Tiranën” shkruan zonja Balluku në rrjetet sociale.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




