Vdekja tragjike e 17- vjeçarit te “Orange Club” në Sarandë, rëndohet pozita ligjore e pronarit dhe teknikut, ISHMT: Ishte strukturë ilegale

Vdekja në mënyrë tragjike e Antonio Delilajt, vetëm 17-vjeç, si pasojë e një aksidenti në lokalin “Orange Club” në Sarandë, ka vënë në lëvizje një sërë institucionesh duke filluar që nga Policia e Shtetit, ajo lokale, deri tek Inspektorati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut.
Mbi bazën akt-eskpertimit të bërë nga ISHMT, duket se pozita ligjore e pronarit të “Orange Club” në Sarandë, Spiro Iljadhi, tashmë paraqitet edhe më e rënduar, pasi struktura e ndërtuar për transportim mallrash brenda lokalit, që shkaktoi edhe tragjedinë, nuk është ashensor i certifikuar ligjërisht, por një strukturë ilegale e ndërtuar pa asnjë leje dhe kriter ligjor që parashikohet për ndërtime të tilla.
Po kaq problematike paraqitet situata edhe për teknikun që kishte montuar strukturën transportuese të mallrave, Lulëzim Allkushi, i cili nuk ka zbatuar detyrimet ligjore që rrjedhin për montime të këtij karakteri.
Gjithshka e ndërtuar brenda lokalit “Orange Club”, sipas ISHMT-së, që lidhet me strukturën për transportim mallrash është përgjegjësi direkte e pronarit të lokalit dhe e personit që e ka montuar.
“Në lidhje me aksidentin e ndodhur mbrëmjen e djeshme datë 26.08.2023 në subjektin “Orange”, Sarandë, ku një i ri 17-vjeçar humbi jetën, Inspektorati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut pasi ka kryer verifikimet në terren, informon se: Pajisja e përshtatur për transport mallrash nga subjekti, e cila ka pësuar defekt nuk është ashensor. Si rrjedhojë, ISHMT nuk ka kryer inspektime apo kontrolle pranë këtij subjekti, bazuar kjo në detyrimin e përputhshmërisë së instalimit të vendosur në shërbim nga personi përgjegjës, pasi nuk është brenda kompetencës ligjore të tij. ISHMT shpreh keqardhje për aksidentin tragjik dhe i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së të riut.”- thuhet në njoftimin e ISHMT-së.
Nga ana tjetër edhe Policia e Shtetit vijon operacionet dhe kontrollet masive në shumë pika në Sarandë dhe në zonat përreth, me qëllim arrestimin e pronarit të “Orange Club”, Spiro Iljadhi, i cili, pas aksidentit tragjik me 17- vjeçarin që punonte në lokalin e tij është zhdukur në drejtim të paditur.
Sipas policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, pasi arrestuan në flagrancë për veprën penale ”Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin Lulëzim Allkushi, 43 vjeç, banues në Sarandë, kanë shpallur në kërkim edhe shtetasin Spiro Iljadhi, 37- vjeç, banues po në Sarandë.
“Arrestimi i 43-vjeçarit dhe shpallja në kërkim e 37-vjeçarit u bë pasi: Rreth orës 01:15 minuta të mëngjesit të sotëm, në lagjen “Nr. 1″, Sarandë, në lokalin në pronësi të shtetasit S. I., është këputur kavoja e ashensorit që përdorej kryesisht për furnizimin e lokalit, duke zënë poshtë shtetasin A. D., 17 vjeç, (ndihmës/kamarier në këtë lokal). Për pasojë, 17-vjeçari ka humbur jetën.”- thuhet në njoftimin e bërë public nga policia gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës.
Nga veprimet hetimore të kryera, sipas policisë, ka rezultuar se 43-vjeçari i arrestuar kishte montuar ashensorin e lokalit ndërsa 37-vjeçari i shpallur në kërkim është pronari i lokalit.

Foto ISHMT: (“Orange Club”, struktura ilegale pë transportim mallrash)
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




