Veliaj: Godinat e Gjykatës së Lartë dhe Bashkia do rikonceptohen te “Bulevardi i ri”

Sociale | 3 vite më parë

Godinat e Gjykatës së Lartë dhe Bashkia e Tiranës do rikonceptohen  te “Bulevardi i ri”. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se godinat do jenë moderne me projekte ndërkombëtare.

“Ne duam që ky bulevard të vazhdojë të jetë arteria kryesore e Tiranës, por edhe e vendit, sepse në këtë bulevard janë një pjesë e madhe e institucioneve. Duam të vazhdojmë edhe te “Bulevardin e Ri”. Jemi duke bashkëpunuar edhe për zonën e institucioneve të reja të drejtësisë, kur ndërtesa e UKT-së ka kaluar për përdorim nga SPAK-u dhe organet e tjera, duke qenë se edhe ata kanë nevojë për hapësirë. Por kjo nuk mjafton. Kjo është arsyeja përse Gjykata e Lartë do të rikonceptohet. E kemi miratuar projektin në Bashkinë e Tiranës, për ta larguar nga ai cep në Rr. “Myslym Shyri”. Gjykata e re ultramoderne, me një projekt ndërkombëtar, do të jetë tek fillimi i “Bulevardit të Ri”. Aty kemi konceptuar më në fund edhe planin për Bashkinë e re dhe do të jetë një pajë që do t’i lëmë qytetit”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Gjatë inspektimit të punimeve për rindërtimin e godinës së dëmtuar nga tërmeti, e njohur si ‘7-katëshi’, në Bulevardin “Zogu I”, Veliaj tha se banorët e Njësisë 9 në kryeqytet, e jo vetëm, do t’i marrin shërbimet e Bashkisë së Tiranës në mjedise të reja.

“Është një ditë shumë e mirë për Njësinë 9 dhe gjithë Tiranën. Ndërtesa e vjetër, para se të binte tërmeti i 2019, i kishte rënë një tërmet administrative, duke u kthyer në seli partish inekzistente. Dikur ishte kthyer në mode, kur mjafton të regjistroje një parti në Shqipëri dhe automatikisht të jepte të drejtën t’I kërkojë Bashkisë së Tiranës një zyrë në qendër të Tiranës. Pra, ishte një mënyrë si të merrje një imobiliare, në një zonë ku vlera e pronës është2-3 mijë euro metri katror. Kjo është një praktikë që u ndërpre nga administrata jonë. Një parti duhet të jetë në shërbim të publikut, nuk duhet të jetë zaptuese e hapësirës publike”, deklaroi Veliaj.

Veliaj siguroi se projekti i ri do t’i qëndrojë besnik godinës së projektuar nga arkitekti Maks Velo, siç është vepruar në shumë raste të ngjashme.

“Më vjen mirë që e kemi liruar ndërtesën. Do i qëndrojnë besnik projektit të Maks Velos. Mjafton të shikosh si kemi punuar me kinemanë në Laprakë, apo me Pallatin me Kuba, ku është ‘Muzeu Kadare’ dhe ku shumë shpejt do të hapet edhe ‘Muzeu Agolli’, për të kuptuar se Bashkia e Tiranës ka qenë mbrojtësja numër një e atyre që janë realisht monumente kulture, jo e legjendave urbane. Por, çfarë është monument kulture me letrat e këtij shteti, majtas dhe djathtas, ne i kemi qëndruar besnik atyre projekteve. Do t’i rrimë besnik edhe në këtë rindërtim të 7-katëshit, me 2 kate shtese, që duhet të jenë metalike dhe për të ruajtur idenë e projektit origjinal, me fasadën e brinjëzuar dhe xhamin nga pas, siç e ka konceptuar dhe projektuar i madhi Maks Velo”, shpjegoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme