Veliaj nga Shëngjergji: Vijojmë me investimet, këtë mandat mbulojmë edhe fshatin më të fundit

Politikë | 4 vite më parë

Kandidati i Partisë Socialiste për Tiranën, Erion Veliaj zhvilloi një takim këtë të diel (16 prill) në Shëngjergj. Veliaj vlerësoi se falë investimeve distanca me kryeqytetin është shkurtuar mjaft, çka e ka kthyer Shëngjergjin në një destinacion të shkëlqyer për fundjavat.

“Sot, për të gjithë ata që janë në Shëngjergj, është bërë pak më kollaj të vish. Sot, për dikë që vjen në një bujtinë, është bërë më kollaj të mbërrish. Sot, për dikë që do të kalojë mirë një fundjavë, është bërë më e këndshme të jesh këtu. Ndaj, për të gjithë ata njerëz duarartë, për të gjitha ato zemra e shtëpi të hapura dhe për të gjitha atë punë të jashtëzakonshme që bëhen në Shëngjergj, duke filluar nga administrator, deri te punonjësi i fundit që mbjell pemë, kam një falenderim zemre,” u shpreh Veliaj. 

Veliaj shtoi se ashtu siç është punuar deri më tani, duke shkruar deri në qendër të ish komunave, do të vijojë puna deri në fshatin më të fundit, ndërsa dha lajmin e mirë se shumë shpejt do të nisë puna për rrugën e re nga Vërria në Shën Mëri.

“Kemi vënë dorë në qendër të Krrabës dhe tani jemi duke punuar për degëzimet, deri në fshatin më të fundit. Kemi mbërritur në qendër të Zall-Herrit dhe tani po punojmë në Çekrezë dhe Kasallë, që të mbërrijmë deri në cepin më të fundit. Kemi mbërritur në qendër të Vërrisë, ku kemi bërë shkollën e re këtu. Në kohët e vjetra dukej sikur ishte fundi i botës kur ti thoje do shkoj në Zall-Bastar, do shkoj në Shëngjergj, ti mendoje se do merrje plaçkat dhe do shkoje në zbor, ndërkohë sot të shkosh në Shëngjergj ose në Zall Bastar për drekë, të vish në Vërri ose të shkosh në një nga zonat e kurorës, është vërtet një fundjavë e bukur. Besoj se është akti më patriotik që mund të bësh pasi ndihmon një vëlla ose një motër që ka hapur një biznes, një restorant apo një bujtinë dhe po punon me djersë dhe ndershmëri në tokën e tij”, deklaroi ai.

Kandidati i Partisë Socialiste për Tiranën, Erion Veliaj mbolli disa pemë me banorët e zonës në Shëngjergj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme