Veliaj: Qendra e Kinostudios, një pol i ri urban për Tiranën

Sociale | 3 vite më parë

Qendra e Kinostudios do të rikualifikohet, për t’u transformuar në polin e ri urban të Tiranës. Sipas kreut të Bashkisë së Tiranës, nga një hapësirë që kryesisht ka shërbyer si parkim makinash, qendra e Kinostudios do të kthehet në një shesh me kënde lojërash për fëmijë, mjedise çlodhëse për të rriturit, të rrethuara me gjelbërim.

Gjithashtu parashikohet që të rehabilitohen edhe fasadat e pallateve përreth, si dhe do të asfaltohet edhe Rr. “Aleksandër Moisiu”, duke përfshirë lidhjen e saj me Rr. “Xhanfize Keko” dhe hapësirat që krijohen midis trotuareve dhe godinave.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili pa nga afër punimet, u shpreh se në këtë zonë po zhvendosen edhe disa institucione të rëndësishme publike e private.

“Kjo nënkupton krijimin e një poli të ri në qytet, ku si fillim janë zhvendosur disa qendra institucionale, si Ministria e Kulturës apo Ministria e Mbrojtjes, disa institucione private, si Universiteti “Marubi”, “UET”, dhe zhvendosja e disa shërbimeve bashkiake, për ta plotësuar edhe si pol administrativ. Por, një pol administrativ ka nevojë për infrastrukturë. Nëse e mbani mend, mandatin e kaluar punën më të madhe e kishim me rrjetin e ujit, – rrjeti i energjisë ka ende pak punë, ndaj jemi duke bërë sistemimin. Tirana policentrike vjen nga bashkimi i të gjitha këtyre energjive, me institucione publike, institucione jo publike, infrastrukturë e rëndësishme, dhe një shesh kryesor”, u shpreh Veliaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme