Veliaj: Tirana ka nevojë për 8 mijë apartamente në vit! Rritja e çmimeve të banesave, më e ulët se në BE

Politikë | 4 vite më parë

“Tirana rritet çdo vit me 20-25 mijë banorë dhe kjo ka sjellë rritjen e kërkesës për më shumë apartamente”, kështu ka deklaruar kryetari i bashkisë në Tiranë, Erion Veliaj gjatë nje videomesazhi të publikuar prej tij në rrjetet sociale. Sipas Veliaj, kryeqyteti ka nevojë të shtojë rreth 8 mijë banesa çdo vit.

“Nëse nuk shtohet oferta për banesa të reja, atëherë çmimet e banesave ekzistuese do të bëheshin të papërballueshme dhe do të rriteshin në mënyrë eksponenciale. 8 mijë banesa, me nga një mesatare prej 100m2, përfshirë hapësira të përbashkëta, shkallë e ashensorë, janë rreth 800 mijë m2 ndërtim i ri i kërkuar nga tregu çdo vit në Tiranë. Atëherë, përfundimi është i thjeshtë, numri i metrave katrorë të ndërtuara në Tiranë, përputhet proporcionalisht me numrin e rritjes së banorëve të Tiranës” deklaroi Veliaj ndërsa shton se “trendi i rritjes së ndërtimeve në Tiranë është në përputhje me trendin e rritjes ekonomike të Tiranës dhe është e rëndësishme t’i besohet shkencës dhe parimeve të ekonomisë së tregut të lirë”.

Ndalur tek rritja e çmimeve të apartamenteve, Veliaj e pohon si fenomen ndërsa thotë se nuk duhet trajtuar si diçka e keqe, por si lajm i mirë sepse qytetarëve sot prona e tyre u vlen më shumë se më parë.

“Është e vërtetë se çmimi i një apartamenti është rritur në Tiranë, qoftë për t’u blerë, qoftë për t’u marrë me qira. Por, a është kjo një gjë e keqe? 93% e qytetarëve të Tiranës në fakt, janë pronarë të banesave të tyre. Kjo do të thotë se për këta 93% ky është një lajm shumë, shumë i mirë. Secili prej jush është bërë më i pasur dhe ka përfituar drejtpërdrejtë nga zhvillimi i qytetit, se ka një apartament apo një pronë që i vlen më shumë sot se sa dje,” tha Veliaj.

Për Veliaj, ritmi i rritjes së vlerës së pronës ka ecur paralelisht me rritjen ekonomike në vendin tonë.

“A është rritja e çmimeve në Tiranë e jashtëzakonshme? A ka marrë për kot? A është fryrë nga para të krimit dhe lloj-soj sulmi që bëhet nga këta gjithollogët? Në fakt, shifrat tregojnë se ecuria e rritjes së vlerës të pronës në Tiranë është në përputhje të plotë dhe me ecurinë e rritjes së ekonomisë, ”tha kryetari I bashkisë së Tiranës.

Ndërkohë që për burimin e të ardhurave për ndertimin dhe blerjen e ndërtimeve, Veliaj thekson se nuk vijnë nga burime të paligjshme.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme