Veliaj: Viti 2024, më intensivi për Tiranën

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilëson 2024 si vitin më intensiv të investimeve për kryeqytetin. Gjatë një takimi me kryetarët e PS së Tiranës, ai foli për projektet konkrete dhe investimet e reja që do të ndodhin gjatë këtij viti.
“Ne kemi hyrë në vitin më intensiv të investimeve në Tiranë. Pasi mbaruam gjithë transformimin e Bovillës dhe dyfishimin e filtrimit të rrjetit në Paskuqan, aty ku kemi pikën e filtrimit, do fillojmë nga puna për rrjetin kapilar në të gjitha lagjet, për ta bërë realitet Tiranën me 24 orë ujë, pavarësisht se u penguam dhe u sabotuam në mënyrën më banale të mundshme. Një ditë para Vitit të Ri firmosëm me KFË gjermane bashkëpunimin për të transformuar plotësisht transportin publik, duke e nisur si fillim me tre linjat kryesore: Kombinat-Kinostudio, Tiranën e Re dhe Unazën”, u shpreh Veliaj.
Veliaj lajmëroi se së shpejti nis programi më i madh i ndërhyrjeve nëpër lagje.
“Kemi piketuar mbi 24 lagje, ku do të ndërhyjmë, pastaj kemi disa dhjetra rrugë, përfshirë nga ato të fshatit apo rrugë të tjera periferike, deri tek rrugët e brendshme të Tiranës, për t’u siguruar që çdo rrugicë sheh diell dhe asfalt, edhe pse në këtë Tiranë që zhvillohet, gjithmonë do të ketë blloqe të reja që ndërtohen, teksa përgatitemi për një sezon tjetër të suksesshëm turistik”, theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj tha se janari është koha kur hapen të gjitha këto kantiere por sipas tij ‘kantieri’ më i rëndësishëm është ai i zemrave dhe mendjeve të njerëzve për të cilët duhet punuar pa pushim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




