Vendimi i Apelit, Sula: Kandidatët e Primareve të futen në zgjedhje me logon e PD! Bashkimi, e vetmja zgjidhje

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka reaguar në lidhje vendimin e djeshëm (3 mars) të Gjykatës së Apelit, që rrëzoi vendimin e Agron Zhukrit dhe ktheu çështjen për shqyrtim në Shkallën e Parë me trupë tjetër gjykuese. Në një postim në Facebook, Sula shkruan ky vendim nuk është triumf për asnjërën palë, teksa shton se nëse demokratët nuk do të dinë ta kthejnë atë në favorin e tyre, i fituar, sipas tij do të jetë vetëm PS që është në pushtet.
“Bashkimi i demokratëve, rruga e vetme dhe e duhura për gjithë Shqiptarët! Vendimi aq shumë i stërzgjatur i Gjykatës së Apelit nuk është triumf për askënd nga ne demokratët. Nëse ne që jemi mandatuar për të përfaqësuar demokratët e thjeshtë nuk do dimë ta kthejmë këtë situatë në favorin tonë, atëherë vendimi i mbrëmshëm do favorizojë vetëm atë që është në pushtet tani”, shkruan ai.
Sula bën thirrje për bashkim, duke e konsideruar atë si të vetmen zgjidhje, ndërsa shton se edhe kandidatët e dalë nga “Primaret” e zhvilluara nga Rithemelimi, duhet të futen në zgjedhje me logon e PD.
“Nuk ka asnjë arsye për revansh. E vetmja zgjidhje është BASHKIMI. Këtë nuk e bën asnjë forcë hyjnore, asnjë vendim gjykate por e bëjmë vetë ne duke vendosur interesin e demokratëve, e shqiptarëve para ndonjë interesi të ngushtë. Kandidatët demokratë për zgjedhjet e 14 majit duhet të regjistrohen në KQZ, vetëm me logon e PD. Kandidatët e dalë nga “Primaret” me ndonjë korigjim për më mirë ku të jetë e mundur, duhet të futen në zgjedhje me logon e PD dhe si demokratë.
Këtë mllef ndaj qeverisë që përpos 1001 të zezave që i ka bërë ekonomikisht vendit, investohet vazhdimisht me çdo mënyrë të ligjshme e të jashligjshme të dëmtojë opozitën, duhet ta kthejmë në një energji të përqëndruar për tu përballur me mazhorancën aktuale. Këtë duhet ta bëjmë tani. Në zgjedhjet lokale duhet shkojmë të bashkuar. Të bashkuar ne fitojmë shumicën e bashkive të vendit. Pasi të mundim mazhorancën, brenda 2-3 muajve futemi në zgjedhje dhe strukturim të brendshëm. Zgjedhim funksionarët nga më të thjeshtin, kryetar seksionesh, kryetar grupseksionesh,kryetar degesh deri te kryetarin e PDSH-së duke bërë një proces gjithëfshirës dhe duke i krijuar liri gjithësecilit që të ketë mundësi të kandidojë.
Bashkimi i të gjitha rrymave brenda nesh, në një lum të madh energjie kundra qeverisë aktuale është emergjencë kombëtare. Sigurisht më pas zgjedhjet e brendshme nga “këmba te koka” janë domosdoshmëri jetike. Ta caktojnë të gjithë demokratët pa asnjë përjashtim se cilët do jenë përfaqësuesit në të gjitha strukturat e PD”, shkruan Sula.
Pas një seance maratonë, Gjykata e Apelit, vendosi rrëzimin e vendimit të Agron Zhurkit dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Shkallën e Parë me trupë gjykuese tjetër.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




