Vendimi i Gjykatës së Lartë për 21 janarin, avokat Idajet Beqiri: SPAK i detyruar ta hetojë

Aktualitet | 3 vite më parë

Pas kërkesës së familjarëve të viktimave të 21 Janarit, Gjykata e Lartë vendosi që kjo çështje të hetohet nga Prokuroria e Posaçme, për mediat foli edhe avokat Idajet Beqiri.

Ai shpjegoi gjithë procesin e ankimit deri në Gjykatën e Lartë duke theksuar se tashmë SPAK është i detyruar që ta hetojë dosjen e nxehtë të 21 janarit 2011, ku mbetën të vrarë 4 protestues para Kryeministrisë.

“Thelbi i gjykimit sot ishte vendimi i drejtuesit të SPAK-ut i cili nuk regjistroi kallëzimin penal kundër Sali Berishës, Lulzim Bashës e Ndrea Prendit me arsyetimin se kompetente për shqyrtimin e kësaj çështje është prokuroria e juridiksionit të përgjithshëm, Tiranë, e cila e ka në dorë një procedim. Ndërsa ne nuk u pajtuam me këtë vendim. E kundërshtuam në GJKKO, por Gjykata e Shkallës së Parë i dha të drejtë SPAK-ut.

E kundërshtuam në Gjykatën e Posaçme të Apelit por kjo përsëri i dha të drejtë SPAK-ut duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Ne bëmë rekurs në Gjykatën e Lartë.  Në rekursin që bëmë për në Gjykatën e Lartë i kërkonim asaj që kompetente për hetimin nuk është prokuroria e Tiranës sepse hetoi ato që kishte kompetencën e vet, gardistët e vet, por urdhëruesit e hierarkinë urdhërdhënëse nga ish-kryeministri, ministri i Brendshëm etj., nuk e ka hetuar dhe nuk ka kompetencë ta bëjë.

Gjykata e Lartë urdhëroi të regjistrohet kallëzimi penal, dhe të bëhen hetime duke iu referuar dhe vendimit të gjykatës së Strasburgut.

Për pasojë nga dita e sotme kallëzimi penal kundër Sali Berishës, Lulzim Bashës e Ndrea Prendit është në SPAK që është e detyruar të bëjë hetimin e kësaj çështjeje deri në fund”, u shpreh Beqiri.

Ai theksoi gjithashtu se audio-regjistrimin e vrasjeve do ta dorëzojnë në SPAK sapo ata të thirren për këtë çështje.

“Ne i patëm thënë SPAK-ut se kishim edhe audio-regjistrimin që donim ta dorëzonim vetëm aty. SPAK-u nuk e kishte vullnetin as ligjor e as moral dhe nuk e pranoi fare. Nuk e mori video-regjistrimin që ta analizonte dhe të na thoshte se kush e ka kompetencë hetimin. Pra një paragjykim ekstrem. Ne tani do e dorëzojmë patjetër regjistrimin menjëherë në SPAK sapo të thirremi”, nënvizoi Beqiri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme