Vendimi i KiE, Nikolla: Rikonfirmim i progresit drejt shtetit të së drejtës, fuqizimit të institucioneve demokratike

Politikë | 3 vite më parë

Vendimi i Komitetit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista e vendeve nën monitorim, në të cilën përfshihej prej anëtarësimit në KiE, në vitin 1995, është përshëndetur edhe nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila e komentoi vendimin në fjalë: “plotësisht legjitim dhe të merituar”.

“Një ri konfirmim i progresit drejt shtetit të së drejtës, fuqizimit të institucioneve demokratike, thellimit të reformave, avancimit drejt BE-së, kontributit në mbrojtjen e paqes e sigurisë dhe lidershipit në zhvillimet rajonale”, shkruan krye parlamentarja Nikolla në rrjetet sociale.

Hasani: Vendimi është një tregues i qartë i progresit të konsiderueshëm të Shqipërisë

Edhe ministri i Jashtëm Igli Hasani tha se ky vendim është marrë unanimisht, pasi Shqipëria ka qenë në monitorim të plotë të formimit të shtetit të së drejtës dhe demokracisë që nga anëtarësimi saj në 1995.

Për ministrin ky vendim është tregues i progresit të Shqipërisë dhe forcimit të demokracisë.

“Lajm i mirë nga @Pace_News! Pas 29 vitesh të gjata nën monitorim të plotë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, që nga anëtarësimi i Shqipërisë në këtë Organizatë në vitin 1995, Komiteti Monitorues i CoE-PACE ka vendosur të mbështesë unanimisht kalimin e Shqipërisë në fazën e dialogut te postmonitorimit.

Ky vendim është një tregues i qartë i progresit të konsiderueshëm të Shqipërisë në forcimin e shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut dhe demokracisë.

Ne rikonfirmojmë përkushtimin tonë për të përmirësuar më tej standardet tona demokratike, ndërsa përparojmë në mënyrë të qëndrueshme në rrugën evropiane që qytetarët shqiptarë meritojnë”, shkruajti Hasani.

Pas 29 vitesh nën monitorim të plotë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, që nga anëtarësimi i Shqipërisë në këtë organizatë në vitin 1995, Komiteti Monitorues i CoE-PACE ka vendosur të mbështesë unanimisht kalimin e Shqipërisë në fazën e dialogut të post-monitorimit.

/rtsh.al/

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme