Vendoret/ Berisha dhe Meta nënshkruajnë marrëveshjen: Kandidatë të përbashkët! PL merr Këshillat Bashkiake

Politikë | 4 vite më parë

Kreu i PD-së, Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta kanë nënshkruar këtë të enjte marrëveshjen e bashkëpunimit për zgjedhjet vendore të 2023. Sipas kësaj marrëveshje, konkurrimi për kryetarët e bashkive do të bëhet më kandidatë të përbashkët, që do të vendosen nga rezultati i primareve që do të organizohen nga PD, ndërsa Këshillat Bashkiak do të drejtohen nga përfaqësues të PL-së, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla.

Po ashtu, palët kanë rënë dakord që të kenë si “angazhim madhor” referendumin, duke u zotuar të ndërmarrin të gjitha nismat e nevojshme për realizimin e tyre për çdo çështje që shqetësojnë qytetarët, si në nivel qendror, e po ashtu edhe në atë lokal.

PD dhe PL, në bazë të kësaj marrëveshje, angazhohen edhe për transparencë për menaxhimin dhe përdorimin e të gjitha fondeve publike, si edhe të gjitha vendimeve të Këshillave Bashkiake dhe të Bashkive që lidhen me to, duke theksuar si mjet edhe seancat e hapura publike.

Marrëveshja nënvizon po ashtu se palët do të ndërmarrin nisma për ndalimin e ndërtimeve pa kriter dhe se do t’i japin përparësi gjelbërimit të qyteteve.

Pikat e marrëveshjes:

1.Konkurrimi për Kryetarët e Bashkive do të bëhet me kandidatë të përbashkët, të cilët vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare, që do të organizohen nga Partia Demokratike e Shqipërisë.

2.Referendumi, si forma e shprehjes direkte të vullnetit të qytetarëve, për çdo çështje që i shqetëson, në nivel qendror apo lokal, do të jetë angazhim madhor dhe i patjetërsueshëm, për të cilin PDSH dhe PL do të ndërmarrin të gjitha nismat ligjore dhe aksionet publike të nevojshme për realizimin e kësaj të drejte kushtetuese të mohuar prej 25 vjetësh.

3.Këshillat Bashkiake, si institucionet më të rëndësishme të përfaqësimit të qytetarëve, do të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla.

4.Të angazhohen për realizmin e transparencës së plotë për menaxhimin dhe përdorimin e të gjitha fondeve publike, si edhe të gjitha vendimeve të Këshillave Bashkiake dhe të Bashkive që lidhen me to, përfshirë organizimin e seancave të hapura publike, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, në funksion të llogaridhënies para qytetarëve.

5.Të angazhohen, me prioritet të veçantë, për realizimin e vazhdueshëm të seancave publike të hapura të Këshillave Bashkiake, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, ku qytetarët të dëgjohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në seancat plenare.

6.Të angazhohen përmes nismave të përbashkëta institucionale, për ndalimin e betonizimit kriminal dhe korruptiv të qyteteve, duke i dhënë përparësi në vendimmarrjen lokale shëndetit të qytetarëve dhe gjelbërimit të qyteteve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme