Venger: Deklan Rajs, investim që ia vlen

Arsen Venger e ka përshkruar blerjen kundrejt 105 milionë stërlinash të Deklan Rajsit nga Arsenali si një vlerë e shkëlqyer për paratë e shpenzuara, por vajtoi faktin se nuk i kishte të tilla fonde gjatë kohës që ai drejtonte gjiganten londineze. Arsenali synon të vazhdojë përmirësimin nën drejtimin e trajnerit Mikel Arteta, pasi “Topçinjtë” befasuan sezonin e shkuar, edhe pse u detyruan në fund të kënaqeshin me vendin e dytë në Premier Ligën Angleze, pas Mançester Sitit.
Në fakt, futbollisti i përfaqësueses së Anglisë, ishte përparësi kryesore e verës për Artetën dhe Arsenali e mbylli më në fund marrëveshjen me Uest Hemin. Në fakt, ishte një operacion masiv financiar, pasi Rajsi u shndërruar në lojtarin më të shtrenjtë britanik, duke eklipsuar edhe 100 milionë stërlinat që Mançester Siti i pagoi Aston Vilës për Xhek Grilishin. Por Vengeri nuk e shikon këtë si shqetësim, pasi mendon se mesfushori do të vërtetojë se është një investim që ia vlen, sikundër do të ndodhë me Jurriën Timberin, që ka kushtuar 38 milionë stërlina dhe Kai Havertzin, që erdhi për 65 milionë stërlina.
“Mendoj se është një investim i mirë, – ka deklaruar Vengeri, duke folur për rrjetin prestigjioz sportiv, “Eurosport”. “Në thelb, personalisht jam i mendimit që kanë bërë blerje të mira, sepse ata janë lojtarë që janë edhe të pjekur, por edhe 23, 24 vjeç dhe ende të rinj e do të luajnë bashkë në nivele të larta edhe për disa vite të tjera”, – ka vijuar francezi, duke shtuar: “Arsenali do të jetë nën një trysni më të madhe sesa sezonin e shkuar, por kanë mësuar shumë dhe kanë dëshmuar se mund ta përballojnë më mirë atë në sezonin e ri”.
Arsen Vengeri shtoi se edhe ai do të bënte të njëjtat blerje në fundin e karrierës së tij tek Arsenali, por klubi nuk i kishte fondet në dispozicion. “Mendoj se tani Arsenali është i shëndetshëm financiarisht dhe do ta fitojë titullin “kampion””, – ka përfunduar trajneri legjendar i londinezëve.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




