Veprimet e dhunshme në protestën e demokratëve, 4 të arrestuar dhe disa të proceduar

Politikë | 3 vite më parë

Policia njoftoi të mërkurën se ka arrestuar 4 shtetas dhe 6 të tjerë po procedohen penalisht për veprimet e dhunshme gjatë protestës së djeshme (20 shkurt) të opozitës para kryeministrisë.

Ndonëse tubimi i demokratëve të ish-kryeministrit Sali Berisha u përmbajt te deklaratat verbale dhe u zhvillua paqësisht, punonjësit e policisë u përballën edhe me sulme me lëndë piroteknike, si kapsolla, flakadanë dhe molotov.

Komisariati Nr. 1, nën drejtimin e Prokurorisë, informoi se ndër të arrestuarit në flagrancë dhe të proceduarit janë shtetas të moshave 18 deri 37 vjeç, por vijon puna “për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme gjatë protestës së ditës së djeshme”.

“Grupi hetimor këqyrjes së vendit të ngjarjes u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
  • 21 flakadanë të plasur;
  • 1 bidon plastik 0.5 L, e mbushur me lëndë djegëse të dyshuar benzinë, me kapsollë të paplasur;
  • 37 bidona plastikë uji, 0.5 L; 
  • 6 bidona plastikë të djegur, me aromë lënde djegëse benzinë;
  • 3 kapsolla.

Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 110 kapsolla, që iu gjetën këtyre shtetasve, gjatë kontrolleve fizike,” njoftoi Policia.

Veç veprimeve të protestuesve, të martën pas protestës u monitorua edhe reagimi i organeve ligjzbatuese. Avokati i Popullit deklaroi se ka marrë denoncime për ushtrim dhune nga efektivë të veshur si civilë, ankesë e cila “do të trajtohet në vijim”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme