Vetëvrasja e 41-vjeçares, arrestohet bashkëshorti, Policia: E ka kërcënuar për ta vrarë në sy të fëmijëve

Të tjera detaje janë zbuluar në lidhje me ngjarjen e rëndë të vetëvrasjes së 41-vjeçares Bedrie Loka, nga Vadardha e Sukthit. Policia bën me dije ka arrestuar bashkëshortin e saj, 45-vjeçarin me inicialet Xh. L., pasi nga hetimet ka rezultuar se ai e kishte dhunuar vazhdimisht psikologjikisht bashkëshorten.
Gjithashtu, sipas hetimeve, më datë 27 dhjetor të vitit të kaluar, ai e ka kërcënuar bashkëshorten me thikë për ta vrarë, në prezencë të njërit prej fëmijëve. Por për këtë rast, Bedrie Loka nuk ka bërë kallëzim në Polici.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, 45-vjeçarit iu gjet një automatik, një krehër dhe një sasi municioni luftarak. Gjithashtu, atij iu sekuestrua edhe celulari, të cilin e kishte fshehur dhe kishte refuzuar tja tregonte policisë.
Ky celular, bashkë me celularin e 41-vjeçares, janë dërguar për ekspertimin me qëllim gjetjen e provave për dokumentimin e rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.
Gjithashtu, vijojnë edhe hetimet për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore autorët e keqpërdorimit të të dhënave të 41-vjeçares në “TikTok”.
Bedrie Loka, nënë e 4 fëmijëve i dha fund jetës tre ditë më parë në banesën e saj, duke u vetëhelmuar. Shkak paraprakisht u dyshua të ketë qenë rëndesa psikologjike nga bullizmi që i bëhej prej një adrese false në TikTok, e cila përdorte foton e saj, por hetimet po nxjerrin në dritë edhe të tjera detaje.
Familja Loka, me origjinë nga Dibra, jeton prej disa vitesh në Vadardhë të Sukthit në një banesë 2-katëshe, që 41-vjeçarja e ndante me tre djemtë e saj, ndërsa vajza ishte e martuar dhe bashkëshorti punonte në Greqi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




