VIDEO/ Gjirokastër, trafikonin shtetas të huaj drejt vendeve të BE-së, prangoset një i mitur, një tjetër shpallet në kërkim

Aktualitet | 3 vite më parë

Zonat kufitare në jug të vendit, konkretisht vija kufitare në Gjirokstër, vijojnë të mbeten ende në vëmendje të trafikantëve që, kundrejt pagesave, përpiqen të kalojnë shtetas të huaj në brendësi të territorit të vendit.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, policia e Gjirokastrës ka zhvilluar 2 operacione kundër veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim kufiri.

Sipas policisë, gjatë njërit nga operacionet u vu në pranga një shtetas që transportonte me një automjet që e drejtonte pa leje drejtimi, 8 shtetas nga vendet e treta, ndërsa gjatë operacionit tjetër u shpall në kërkim një 25-vjeçar që transportonte 8 shtetas të tjerë nga vendet e treta, i cili braktisi automjetin sapo vuri re që po ndiqej nga shërbimet e Policisë.

“Policia ka sekuestruar 2 automjetet me të cilat këta shtetas transportonin kundrejt pagesave, emigrantët që synonin të kalonin ilegalisht kufirin.“- thuhet në njoftimin e policisë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me DRKM Gjirokastër, bën të ditur se kanë finalizuar gjatë 24 orëve të fundit, operacionet policore të koduara “Road Guard 69” dhe “Road Guard 70”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimeve, për kalim të paligjshëm të kufirit.

“Gjatë operacionit “Road Guard 69”, në aksin nacional “Ura e Dragotit – Ura e Leklit”, në vendin e quajtur “Kthesa e fshatit Kodër”, shtetasi G. M., duke drejtuar automjetin me të cilin po transportonte drejt Tiranës, 8 emigrantë nga vendet e treta, kundrejt shumës 500 euro/person, sapo ka vënë re se po ndiqej nga shërbimet e Policisë, ka braktisur automjetin dhe ka mundur të largohet. Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim drejtuesi i automjetit, shtetasi G. M., 25 vjeç, banues në Krujë. Vijon puna për kapjen e tij.”- informon policia.

Ndërsa gjatë operacionit policor të koduar “Road Guard 70” u arrestua në flagrancë I. B., 17 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas, sipas policisë, u kap në flagrancë në vendin e quajtur “Ura e Kardhiqit”, duke drejtuar pa leje drejtimi automjetin tip “Volksëagen”, me të cilin po transportonte nga Saranda në drejtim të Tiranës, kundrejt pagesës, 8 emigrantë nga vendet e treta që synonin të kalonin ilegalisht nga Shqipëria në vendet e BE-së.

“Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjetet me të cilat transportoheshin emigrantët dhe 1 aparat celular. Materialet për të dyja rastet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.”- përfundon njoftimi i policisë.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme