Vjen në shqip biografia e princit Harry: “Nëse do ishte e nevojshme mund të shërbeja edhe si pjesë këmbimi”

Kulturë | 4 vite më parë

Është botuar në shqip libri biografik i princit Harry, “Në hije”. Në një intervistë për emisionin “Në radio”, dhënë gazetarit Andri Xhahu, përkthyesja Orgeta Gjini zbulon detaje nga libri.

Babi, Willy, botë, kjo është historia ime!

“Libri nis në kopshtet Frogmore pas vdekjes së princ Filipit. Mbreti Charles, i cili do të kurorëzohet së shpejti, bashkë me dy djemtë debatojnë duke pretenduar se nuk e kuptojnë arsyen pse Harry është larguar nga Britania e Madhe”

Libri është një memuar për jetën e princit Harry deri në momentin e prindërimit. I ndarë në tri pjesë, në të parën flitet për vdekjen e princeshë Dianës. “Në libër përshkruhet një skenë e dhimbshme kur dy fëmijët e kapur dorë për dore shoqërojnë arkivolin e nënës së tyre. Madje daja, vëllai i princeshë Dianës, e quan barbare këtë skenë, vetëm që e gjithë bota të shikojë dhimbjen e fëmijëve të princeshës.”

Lidhja e Harry-t me nënën e tij ka qenë e veçantë. Në libër mësohet se deri vonë ai nuk e pranonte që e ëma kishte vdekur. “Arsyetonte se e ëma fshihej nga shtypi dhe pretendonte që një ditë do të dilte në skenë. Pas seancave të shumta terapeutike arriti ta pranonte.”

Lady Diana ka qenë gjithnjë e pranishme në mendjen e të birit. “Ai shkon te një fallxhore e cila i thotë se nëna jote është gjithmonë me ty dhe ajo është e lumtur që ti po jeton jetën që ajo nuk mundi.”

Isha 20 vjeç kur dëgjova për herë të parë shprehjen e supozuar që babi i kish thënë mamit ditën kur linda: “Mrekulli, më dhe një trashëgimtar, dhe tani një rezervë. Puna ime mbaron këtu!

Në libër princi Harry pretendon se ka qenë gjithmonë hija dhe mbështetja e të vëllait.

Nëse do ishte e nevojshme mund të shërbeja edhe si pjesë këmbimi, ndonjë veshkë, ndoshta transfuzion gjaku ose palcë kocke.

Pjesa e dytë e librit përqendrohet te shërbimet ushtarake. Një ushtarak i apasionuar, Harry ka punuar me Forcat Ajrore si një kontrollor ajror. Ka bërë dy turne në Afganistan. Deklarata e tij se në Afganistan ka vrarë 25 talebanë, ka tronditur opinionin publik. “Në libër ai shprehet se nuk mburret me këtë fakt por as nuk i vjen keq.”

Pjesa e tretë e librit titullohet “Kapitenia e shpirtit tim”, kushtuar bashkëshortes së tij, Meghan Markle. Në libër flitet gjithashtu edhe për marrëdhënien me mbretëreshën Elizabeta e Dytë, të cilën e konsideron si gjyshen dhe komandanten e tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme