Vlora Hyseni merr zyrtarisht detyrën në krye të SHISH

Vlora Hyseni është prezantuar sot zyrtarisht në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit, një ditë pasi u dekretuar nga presidenti Bajram Begaj.
Në prezantimin e saj kanë qenë të pranishëm kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dhe Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.
“Sapo mbaruam prezantimin në institucion të drejtores së re të Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, e cila u dekretua dje nga Presidenti i Republikës”, shkruan Rama në facebook.
Dekretimi i Vlora Hysenit si drejtuese te Shërbimit Informativ te Shtetit u bë një ditë më parë nga presidenti Bajram Begaj.
Më 17 mars kryeministri Edi Rama shkoi në zyrën e presidentit Begaj për të propozuar zonjën Hyseni në krye të këtij dikasteri me besimin se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që ajo gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar.
Në shkurt të vitit 2019, Vlora Hyseni ishte emëruar zëvendësdrejtoreshë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Në 2021 u emërua si këshilltare e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.
Hyseni do të zëvendësojë në këtë detyrë Helidon Bendon, i cili dha dorëheqjen dhjetorin e vitit 2022.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



