Volejboll Meshkuj/Shqipëria mundet 0-3 përballë Rumanisë

Sporte të tjera | 6 vite më parë

Ka nisur me një humbje në 3 sete përballë Rumanis aventura e Shqipërisë në Eliminatoret e Kampionatit Europian në Volejboll për meshkuj. Kombëtarja kuqezi ndodhet në grupin E, së bashku me rumunët, me Zvicrën dhe me Sllovakinë dhe ndeshjet po zhvillohen me sistem grumbullimi.

3 takimet e para të këtij grupi po luhen në Sllovaki, ndërsa 3 të tjerat do të luhen pas pak ditësh në Rumani. Dhe skuadra kuqezi, e drejtuar nga trajneri Jani Melka dhe ndihmësit Agim Reka dhe Dritan Bardhi, i ka nisur me një përballje me rumunët këto Eliminatore, por me shumë mungesa, për shkak të disa dëmtimeve, por edhe të pamundësive për të ardhur për shkak të rrethanave dhe kushtëzimeve të epidemisë së “Covid-19”.

Për këtë arsye, Melka ka shkuar me një Kombëtare në tranzicion në këto Eliminatore dhe dëshmi e situatës së vështirë të krijuar ka qenë edhe fakti që në rolin e pasuesit, ka debutuar 18-vjeçari Grigor Vasili. Seti i parë i ndeshjes së sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga RTSH Sport është mbizotëruar nga Rumania,  që e fiton atë 25-15.

Edhe në setin e dytë, rumunët kryesojnë dhe përtej përpjekjeve sporadike të kuqezinjve, e fitojnë atë 25-19. Seti i 3-të ka qenë më i mirë për Shqipërinë që ka kryesuar në pikët e para, duke ngjallur shpresë për një rezultat pozitiv. Por Rumania ka marrë gradualisht në dorë frenat e lojës dhe e merr edhe setin e 3-të, 25-18, dhe gjithë ndeshjen 3-0.

Kombëtarja kuqezi do të vijojë të premten me ndeshjen me Zvicrën dhe për ta mbyllur më 8 maj me duelin me përfaqësuesen vendase, Sllovakinë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme