Volejboll Meshkuj/Shqipëria, zhgënjyese në kualifikueset e Europianit

Shqipëria në volejboll për meshkuj i ka mbyllur me humbje kualifikueset e Kampionatit Europian 2021 finalet e të cilit më 1-19 shtator do të luhen në Poloni, Republikën e Çekisë, Estoni dhe Finlandë. E nga grupi E të drejtën për të shkuar në këto finale e kanë fituar Sllovakia, që në ditën e fundit është 3-1 nga Rumania, dhe Zvicra, e cila me të njëjtin rezultat mundi kuqezinjtë e Jani Melkës.
Shqipëria kishte gjithçka në dorë për Rumaninë, sepse pas fitores me Sllovakinë, rumunët, teksa ende nuk kishte startuar ndeshja e jonë me Zvicrën, ishin të dytët me 10 pikë. Pra çdo fitore e kuqezinjve 3-0, 3-1 dhe 3-2 e linte Zvicrën jashtë finaleve të Kampionatit Europian, teksa helvetët kishin 8 pikë në pesë ndeshje, dhe kualifikonin Rumaninë.
Por nuk ka ndodhur kështu. Tanët edhe pse kanë fituar setin e parë në pikët shtesë 27-25, edhe pse ishin pa kurrëfarë tensioni për shkak të rezultatit, në vazhdimin e lojës janë hija e vetvetes. Sidomos në setin e dytë, që e humbën 25-15, apo dhe në të tretin në të cilën u mundën 25-19.
Ka një farë shenje që mund të përmbyset situata në të katërtin. Por në fund 25-23 për Zvicrën dhe krejt ndeshja pas një orë e 35 minutash 3-1 për helvetët.
Kësisoj gjashtë humbje në gjashtë ndeshje, vetëm katër sete të fituara dhe 18 të humbura dhe zero pikë kjo ishte paraqitja më e zhgënjyese e viteve të fundit të kombëtares së meshkujve, ndërsa jemi të fundit të grupit E.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




