Von der Leyen- Rama: 80 mln euro Shqipërisë për krizën energjitike, Ballkani Perëndimor nuk është vetëm

Politikë | 4 vite më parë

Kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas takimit të zhvilluar mes tyre dhe delegacioneve respektive, kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Rama, në fjalën e tij, theksoi se falë qasjes së Komisionit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor, si dhe përkushtimit personal të Presidentes von der Leyen, Shqipëria nuk ndjehet vetëm.

“Dua ta falenderoj Presidenten për këtë ndalesë në Tiranë. Kemi qenë së bashku për të parë punimet e hekurudhës së re, e cila, më në fund, në këtë rast jo për shkak të burokracisë së Komisionit, por të Bankës Evropiane për Ndërtim e Zhvillim, projekti ka nisur më vonë se parashikimi. Në pranverën e 2024 do kemi aksin hekurudhor, Tiranë-Durrës, Tiranë-Rinas-Durrës dhe e kundërta”- deklaroi Rama.

Ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyen, bëri të ditur se BE do t’i dhurojë Shqipërisë 80 mln euro, për të përballuar krizën energjetike. Ajo foli edhe për 500 mln euro për Ballkanin Perëndimor, për modernizimin e sistemit energjetik.

“Ne jemi pjesë e një Unioni për energjinë. Propozojmë një paketë mbështetëse për energjinë për Ballkanin Perëndimor, për të ndikuar në zbutjen e çmimeve. Për Shqipërinë do të jenë 80 mln euro në formë grantesh. Nga ana tjetër do të jenë 500 mln euro grante për të gjithë rajonin, të cilat do të investohen në infrastrukturën energjetike”, tha Presidentja gjatë konferencës me kryeministrin, Rama.

Presidentja e KE-së informoi se kishte parë fillimin e linjës hekurudhore Tiranë- Durrës, por, sipas saj, është e rëndësishme të investojmë në energjinë e rinovueshme, nëpërmjet një investimi në impiantin lundrues diellor në Vaun e Dejës dhe modernizimin e hidrocentralit të Fierzës.

 “Shqipëria mund të jetë krenare për arritjet e saj, nga fjalët te veprat, ndaj jeni drejt rrugës së BE-së. Do të kemi samitin e Ballkanit Perëndimor në Tiranë ku do të shihemi sërish. Hapja e negociatave ishte suksesi juaj, është sukses i shumë e shumë viteve plot përpjekje. Ju keni treguar përkushtimin ndaj BE-së për qëndrimin ndaj luftës së Rusisë. Është shembullore që Shqipëria, në formë active, ka mbrojtur rendin ndërkombëtar në OKB dhe kjo ju nderon sepse na tregon që jemi një komunitet me të njëjtat vlera që mund t’i ndajmë. Ne e ndjejmë që Rusia po përdor energjinë si armë dhe ne të gjithë i ndjejmë efektet, të cilat kanë të bëjnë me hallkat e sigurisë së energjisë”,- theksoi ajo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme