Voskopojë/ Fshati piktoresk i preferuar nga turistët edhe në verë

Fshati turistik i Voskopojës çdo ditë e më tepër po pushtohet nga turistët, duke u renditur në një ndër destinacionet e preferuara për pushimet verore.
Rritja e numrit të njësive të akomodimit ka bërë që ky numër të vijë në rritje, ndërkohë që investimet e kryera së fundmi në infrastrukturë kanë favorizuar edhe më tepër turizmin malor.
E ndodhur vetëm 18 kilometra larg nga qyteti i Korçës, për të shkuar deri në këtë fshat tashmë nuk ka asnjë pengesë, pasi edhe infrastruktura është favorizuese pas asfaltimit të aksit rrugor.
Voskopojës nuk i mungojnë as turistët e huaj, që përzgjedhin të shijojnë bukuritë natyrore që ky vend ofron.
“Vijmë shpesh. Na pëlqen. Është vend i bukur, turistik, i qetë, vend për familjarë,” thotë një qytetar.
“Kemi ardhur shpeshherë. Kemi ardhur edhe për 28 Nëntorin. Është bukuri e rrallë,” shprehet një turiste maqedonase nga Struga.
Në Voskopojë vizitorët kanë mundësi të shijojnë natyrën dhe ajrin e pastër, të vizitojnë kishat e shumta, të shohin shtëpitë e ndërtuara me gurë apo të shijojnë kulinarinë tradicionale të zonës.
Gazetar: Marjo Merhori
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




