Vota e diasporës, Gjiknuri- Alibeaj takojnë organizatat që mbulojnë çështjet zgjedhore

Vota e diasporës në zgjedhjet parlamentare, ka qenë të martën në qendër të një takimi që Komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore zhvilloi me organizatat e diasporës që mbulojnë çështjet zgjedhore.
Bashkëkryetari socialist i Komisionit, Damian Gjiknuri u shpreh se në këtë mbledhje janë ftuar të gjitha organizatat që janë regjistruar në Kuvend.
Sipas tij, është i pavërtetë deklarimi se Komisioni ka lënë jashtë përfshirjes në konsultim aktorët e diasporës.
“Sot që flasim, votën e diasporës e kemi të sanksionuar në Kod. Lista e zgjedhësve që ka Shqipëria dhe që është e integruar për të gjithë pjesëmarrësit që marrin pjesë në zgjedhje është listë e krijuar në mënyrë passive. Kjo do të thotë që çdo shtetas shqiptar që ka një adresë qoftë në Republikën e Shqipërisë, qoftë jashtë Republikës së Shqipërisë, por që është i regjistruar në regjistrin e Gjendjes Civile, sipas kodit aktual zgjedhor është zgjedhës potencial, i cili ka të drejtë të votojë”, tha Gjiknuri.
Sipas tij, nga statistika e fundit, ka dalë e dhëna se diku tek 18-19 mijë shtetas shqiptarë, të cilët janë regjistruar në Regjistrin e Gjendjes Civile nëpërmjet sistemit e-Albania.
“Procesi i zbatimit të votës së diasporës është një proces teknik dhe Kuvendi nuk mund të përcaktojë çdo lloj detaji, por mund të vendosë parime që do t’ia delegojë administratës zgjedhore për ta bërë të mundur”, tha Gjiknuri.
Ndërsa bashkëkryetari demokrat, Enkelejd Alibeaj kërkoi nga përfaqësuesit e organizatave që çdo dokument të shkruar t’ia përcjellin Komisionit.
Sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Alibeaj tha se, për sa kohë kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka konstatuar boshllëk ligjor, mungesë dispozitash, konkluzioni është i thjeshtë: Gjykata Kushtetuese në këtë rast nuk identifikon dispozita të shkruara në Kodin Zgjedhor dhe t’i deklarojë si antikushtetuese, por ka konstatuar mungesën e dispozitave ligjore që garantojnë votën e shqiptarëve jashtë Shqipërisë.
“Është detyrimin e Kuvendit për ta plotësuar këtë boshllëk ligjor, përndryshe vota e shqiptarëve jashtë Shqipërisë nuk mund të realizohet”, tha Alibeaj.
Ndërsa përfaqësuesja e Këshillit Koordinues të Diasporës Shqiptare, Anila Hyka Smorgrav u shpreh në fjalën e saj se, ka një boshllëk ligjor midis Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor siç ishte përcaktuar në ligj dhe në bazë të shpjegimit që dha KQZ është mungesa e një afati kohor që është i është dhënë KQZ-së, pra KQZ nuk kishte mundësinë që brenda 6 muajve të realizonte votën e diasporës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




