Vota e emigrantëve, Bylykbashi: Adresa s’është kriter, duhet garanci për fletët e votimit

Deputet i Partisë Demokratike deklaroi pas mbledhjes së grupit të dialogut mbi Reformën Zgjedhore se vota e Diasporës duhet të mundësohet nga një postë ndërkombëtare që të jetë e shpejtë dhe e besueshme.
Duke folur për mediat, Bylykbashi theksoi se fletët e votimit duhet të vijnë në mënyrë të sigurt dhe të numërohen ashtu siç janë.
“Së pari, adresa nuk është kriter regjistrimi, adresa është një instrument që mundësohet e drejta e votës. Ne i qëndrojmë idesë që duhet të jetë një postë ndërkombëtare e shpejtë e besueshme e cila garanton që në kohë të shkurtër ato fletë votimi vijnë në mënyrë të sigurt në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe numërohen ashtu siç janë”, u shpreh Bylykbashi.
Deputeti i PD-së shpjegoi gjithashtu do të shfrytëzohen të gjitha mundësitë dhe hapësirat për ta përmbyllur si proces brenda datës 25 korrik.
Megjithatë, ai akuzoi Partinë Socialiste se bllokoi Reformën Zgjedhore dhe se Kuvendi nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’u njohur të drejtën e votës emigrantëve shqiptarë.
“Do të shohim cilat janë hapësirat, ky diskutim ishte i mirë duke shfrytëzuar të gjitha procedurat parlamentare për ta përmbyllur brenda datës 25. Por jemi ende herët dhe nuk ka dakordësi për çështje të rëndësishme si ajo që diskutuam për çështjen e herësit.
Detyrimi është për të arritur në rezultat, por është për të ardhur keq që Partia Socialiste bllokoi Reformën Zgjedhore. Këto nuk mund të konsiderohen reforma zgjedhore, sado mund të jenë të rëndësishme është trajtim i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, detyrim që e ka Parlamenti. Kurse Reforma Zgjedhore për sa i përket rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it lidhur me shit-blerjen e votës, presionet etj., këto nuk trajtohen”, theksoi më tej Bylykbashi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




