Votimi i marrëveshjes me Italinë, Spiropali: Po marrim përgjegjësi për sfida evropiane

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi të enjten se ratifikimi në Kuvend i marrëveshjes me Italinë për migrantët, dëshmon pjekurinë, sipas saj, në marrjen e përgjegjësive për sfida evropiane nga vendi ynë, që synon integrimin e plotë brenda vitit 2030.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Spiropali rendit edhe projektligjet dhe marrëveshjet e miratuara të enjten në seancën parlamentare.
“Sot (të enjten) në Kuvend ratifikuam Protokollin ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, përmes së cilës Shqipëria i gjendet Italisë siç na është gjendur ajo shumë herë gjatë historisë sonë të trazuar, po dhe dëshmon pjekurinë tonë në marrjen e përgjegjësive për sfida evropiane të përbashkëta si vend që synon integrimin e plotë brenda vitit 2030”, shkruan ministrja Spiropali.
Sipas saj, një tjetër projektligj i miratuar në Kuvend, ishte edhe ratifikimi i marrëveshjes në lidhje me programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore “CEEPUS IV”.
Spiropali vlerësoi se miratimi i shtesave dhe ndryshimeve në ligjin “Për zonat e mbrojtura”, përcjell vizionin dhe vullnetin për ta bërë Shqipërinë një destinacion turistik të nivelit më të lartë mesdhetar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




