Vrasja, Prokuroria: Sokol Mjacaj shëtiste me armë në burg, punonjësit s’e kontrollonin

Aktualitet | 3 vite më parë

Prokuroria e Elbasanit ka zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë në burgun e Peqinit, ku sipas hetimeve punonjësit e këtij burgu kanë neglizhuar kontrollin e autorit Sokol Mjacaj i cili qëlloi për vdekje të dënuarin Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjan.

Gjithashtu prokuroria ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së rëndë. Sipas dosjes, nga kryerja e veprimeve hetimore rezulton se në ambientet e regjimit të brendshëm të IEVP Peqin, Sokol Mjacaj me “armë zjarri pistoletë ka gjuajtur në drejtim të shtetasit (të dënuar) Arben Lleshi dhe Indrit Shaqja, duke lënë të vdekur në vend viktimën Arben Lleshi dhe plagosur viktimën Indrit Shaqja. Më pas ky shtetas ka kanosur me armë zjarri në dorë punonjësit e shërbimit si dhe më pas është izoluar me armë në dorë në ambientet e takimeve me familjarët në këtë burg. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruara një armë zjarri, 5 gëzhoja, si dhe dy predha të dëmtuara.”

Sipas prokurorisë, nga këqyrja e vendit të ngjarjes, deklarimeve të marra, pyetjes së personit nën hetim Sokol Mjacaj dhe akteve shkresore të administruara, arma e zjarrit është futur në burg dhe më pas është mbajtur në dhomë nga i dënuari Sokol Mjacaj për rreth 20 ditë.

Gjithashtu, sipas dosjes hetimore arma dyshohet të jetë mbajtur prej tij edhe në ambientet e përbashkëta në këtë burg (ajrim, apo regjimi brendshëm).

Përkundër këtij fakti, sipas prokurorisë, punonjësit e burgut nuk e kanë kontrolluar fizikisht as gjatë daljes dhe as gjatë kthimit të tij në qeli.

“Në vijim të veprimeve hetimore ka dyshime të bazuara se nga punonjësit e shërbimit, nuk janë përmbushur detyrat funksionale, pasi nuk kanë kryer kontrollin fizik, që konsiston dalja e të dënuarit nga dhoma për ajrim dhe kthimin nga ajrimi për në dhomë në ditën e ngjarjes si dhe në ditët e mëparshme.

Gjithashtu gjatë transferimit nga ambientet e godinës të emërtuar si 41 biz ku ka qenë i akomoduar për në godinën B të sigurisë së lartë ku është akomoduar së fundmi i dënuari Sokol Mjaca rezulton se nuk është kryer procedura standarde e kontrollit fizik dhe të sendeve personale si parashikon skema e sigurisë, si dhe nga ana e autoriteteve të informacionit të burgut nuk është njoftuar ngjarja e ndodhur në orën 13:52 të datës 15.12.2023 në sallën operative të DVP Elbasan apo Komisariatin e Policisë Peqin”, shkruhet në njoftimin e prokurorisë.

Përveç arrestimit të autorit Sokol Mjacaj, është urdhëruar ndalimi për 12 punonjës të burgut përfshirë drejtorin e burgut të Peqinit, Kamber Hoxha, shefin e policisë së burgut Qani Muçi, 60 vjeç, ish-shefin e policisë së burgut Nikolin Gjonpali, 54 vjeç, shefin e regjimit në burg Vilson Shima, 37 vjeç, specialisti i informacionit në sallën operative të burgut Arben Dulellari, 52 vjeç, 3 policë shërbimi Ilir Balla, 46 vjeç, Florene Mile, 43 vjeç, Fatos Pire, 50 vjeç, 4 policë të burgut Genci Muça, 49 vjeç, Klement Haka, 44 vjeç, Erjon Çila, 36 vjeç dhe Indrit Dubali, 41 vjeç.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme