Vucic: Muajt në vazhdim nuk do jenë të lehtë, pres presione dhe kërcënime rreth Kosovës

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic (Vuçiq) ka deklaruar se muajt në vazhdim nuk do jenë të lehtë dhe pret rritje të presionit ndërkombëtar në lidhje me Kosovën.
Sipas tij, kërcënimet do vijnë nga ata që nuk e kuptojnë se paqja nuk është vetëm në interes të serbëve, por edhe të shqiptarëve.
“Më duket se muajt në vazhdim nuk do të jenë të lehtë dhe pres shumë presione, kërcënime dhe zbatim të atyre kërcënimeve për Kosovën, nga ata që janë mjaftueshëm përgjegjës dhe nuk e kuptojnë se paqja nuk është vetëm në interes të serbëve, por edhe të shqiptarëve”, tha Vucic.
Situata mes Kosovës dhe Serbisë vijon të jetë e tensionuar. Ndërkombëtarët po përpiqen të normalizojnë marrëdhëniet mes dy vendeve. Në këtë kuadër, i dërguari i posaçëm i BE për dialogun, Miroslav Lajcak (Lajçak), në takimin e zhvilluar një ditë më parë në Bled me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kishte kryefjalë raundin e ri të bisedimeve të nivelit të lartë.
Lajçak deklaroi se takimi mes Vuciq dhe Kurtit pritet të realizohet në muajin shtator në Bruksel.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




