“Vula dhe logoja e PD”, Berisha: Ndërhyri Rama dhe Yuri Kim, rekurs në Gjykatën e Lartë! Do e çojmë deri në gjykatë ndërkombëtare

Politikë | 4 vite më parë

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, që riktheu çështjen e vulës së PD-së në gjykatën e shkallës së parë, Sali Berisha ka bërë me dije se ata do të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë. Në mbledhjen e Kryesisë në selinë blu, teksa shprehu mosbesim edhe ndaj Gjykatës së Lartë për vendimin që mund të marrë, Berisha u shpreh se qëllimi i tyre është dërgimi më pas i çështjes në gjykatë ndërkombëtare.

“Do ta çojmë për rekurs në Gjykatën e Lartë. Njerëzit mund të habiten si mund ta dërgojmë te Sadushi, por do kërkojmë përjashtimin e tij nga gjykimi. Nuk presim asgjë tjetër se aty urdhri është po ky, por do ndjekim procedurat në gjykatën ndërkombëtare. Ka ndodhur diçka që kurrë në një vend të lirë në botë nuk mund të ndodhë, të shpallet palë ajo që nuk është palë. Por rregulli për taq dërguar në gjykatë ndërkombëtare, kërkon të ezaurohen shkallët e gjykatave të vendit”, tha ai.

Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për ndikim në vendimin e Gjykatës së Apelit, teksa tha se qëllimi i tij është shkatërrimi i opozitës, duke e penguar atë që të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 14 majit. Ai shtoi se do të mbledhë mbrëmjen e kësaj të shtune Këshillin Kombëtar dhe më pas të dielën kandidatët e PD, ku do të përacktojnë qëndrimin që do të mbajnë pas vendimit të Apelit.

“Vendimi i fundit i Edi Ramës për të penguar regjistrimin e PD në zgjedhje dhe pas bravës të marrë me vete edhe Lul Bashën, vulën e kësaj partie. Ky moment është dëshmia më flagrante e tmerrit dhe ferrit që ka kapur Edi Ramën. Edi Rama mendoi të na japë një goditje, por na dha kushtrim. Nxori fytrën e vet siç e ka, i gatshëm të mbajë çdo qëndrim për interesat e pushtetit të tij. I tillë ishte edhe McGonigal, edhe ai tradhtoi flamurin e vendit të tij për të mbushur xhepat me paratë e Edi Ramës dhe luftuar opozitën.

Demokratët janë të thirrur të vazhdojmë revolucionin tonë. Jana ata që veprojnë në këtë mënyrë që ju kemi kallur tmerrin, janë ata që bëjnë gjithçka për të shpëtuar nga disfata që i pret, ata që kërkojnë në mënyrat më antiligjore të na largojnë nga gara, ata që mendojnë se në këtë mënyrë do të gjejnë paqen që nuk e meritojnë. Në fakt do t’u rezervojmë të kundërtën. Jemi mbledhur këtu për të diskutuar mbi situatën e krijuar, nesër do mblidhen kandidatët e PD dhe në darkë Këshilli Kombëtar i PD. Vendimet që do marrim do jenë të një rëndësie të jashtëzakonshme, cilat do jenë qëndrimet tona para këtij akti të turpshëm, ekstrem armiqësor ndaj nesh, ndaj një mafie që nuk ka asnjë parim”, tha Berisha.

Akuza, ish-kryeministri hodhi edhe në drejtim të ambasadores së SHBA, Yuri Kim, teksa u shpreh se, sipas tij, edhe ajo ka ndikuar në vendimin e Apelit.

“E ka me shkrim guvernatorja për shkatërrimin e PD kur ajo bënte presione të jashtëzakonshme për të shkatërruar opozitën. Qëllimi i saj ishte të mbante në krye të PD Lulzim Bashën të financuar nga rustë. Vazhdon më tej haptaz të deklarojë që nuk ka rëndësi se kush voton, por se kë emëron ajo kryetar dhe pasi iku Lul Brava, u përqëndrua te Enkelejd brava. I bëj thirrje demokratëve, të distancohen nga ky peng i shpifur”, tha Berisha.

Ai theksoi më tej se nuk do të tërhiqen nga aksioni i tyre.

“Ky revolucion do realizojë rrëzimin e kësaj klike që nuk njeh asgjë. Nuk e mposhtin dot shumicën e kësaj force, çdo ditë e më e madhe do bëhet”, u shpreh Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme