Xhaçka takon Osmanin: Angazhohemi për t’i hapur rrugën procesit të Integrimit Europian

Shqipëria i ka kërkuar faktorit politik në Maqedoninë e Veriut të përmbushë angazhimet për t’i hapur rrugën procesit të Integrimit Europian. Pas takimit me homologun Bujar Osmani, të hënën, (27mars) ministrja shqiptare e bëri deklaratën duke kujtuar rolin e kontributin e shqiptarëve në vendin fqinj.
“Në këtë kontekst, dua të vlerësoj maksimalisht rolin dhe kontributin e patjetërsueshëm të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ata kanë dëshmuar se janë kontribues të stabilitetit dhe zhvillimit të vendit, përkrahës të pa rezervë të proceseve të integrimit, ndaj përkujdesja për respektimin dhe zbatimin e të drejtave të tyre, në bazë të Marrëveshjes së Ohrit dhe akteve të tjera ligjore, duhet të vazhdojë. Shqiptarët në MV, por edhe pakica maqedonase në Shqipëri, mbeten një urë e fortë lidhëse, miqësie e bashkëpunimi mes dy vendeve tona”, tha ministrja.
Deklaratat pas takimit kanë prekur edhe marrëveshjen Kosovë-Serbi si kontribut në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
“Ne e mirëpritëm marrëveshjen e arritur në Ohër më 18 mars për zbatimin e aneksit të marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe pse dokumenti nuk është nënshkruar prej tyre. Ne e vlerësojmë rolin lehtësues të qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe është një rastësi e mirë që marrëveshja kornizë e Ohrit është nënshkruar në të njëjtën ndërtesë 22 vjet më parë. Ne mendojmë se kjo marrëveshje do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij euroatlantike dhe konsolidimin institucional demokratik. Mbështesim angazhimin e BE-së dhe SHBA-së në zbatimin e aneksit që është pjesë integrale e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve”, tha Xhaçka.
Nga ana e tij Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, u shpreh se “pavarësisht interpretimeve të ndryshme të asaj çka është rakorduar dhe duhet të zbatohet, u pajtuam se ekziston marrëveshja dhe se palët duhet ta zbatojnë, për çka do të kenë mbështetjen tonë. Është e rëndësishme që marrëveshja të jetë gjithëpërfshirëse dhe në një moment të rezultojë me njohje reciproke. Të 6 vendet e rajonit duhet të kenë perspektivë të qartë evropiane”, tha Osmani.
Të martën ministrat e jashtëm të kartës Adriatik 5 do të jenë në tryezë me Shtete e Bashkuara për të diskutuar sfidat rajonale por dhe situatën e re të marrëdhënieve ndërkombëtare të shkaktuara nga agresioni rus në Ukrainë.
/rtsh/
Gazetare: Entela Komino
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




