Zelensky në Tiranë, Rama: Erdoan do japë mesazhin e tij në samitin e 28 shkurtit

Politikë | 3 vite më parë

Gjatë konferencës së përbashkët me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan, kryeministri Edi Rama shpjegoi se në samitin e vendeve të Evropës Juglindore që do të mbahet më 28 shkurt në Tiranë ku i pranishëm do të jetë edhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, kreu i shtetit turk, Erdoan do të mbajë fjalën e rastit nga zyra e tij në Ankara.

“E kam informuar që në ditët e ardhshme në Tiranë së bashku me presidentin Zelensky ne do të zhvillojmë një samit të vendeve të Evropës Juglindore ku edhe Turqia është e ftuar dhe jam mirënjohës që pavarësisht agjendës së mbingarkuar dhe pamundësisë për të qenë fizikisht në Tiranë, presidenti ka pranuar që ta vlerësojë samitin përmes një lidhjeje direkte nga zyra e tij me një mesazh.

Ndajmë shqetësimin dhe dhimbjen për atë që po ndodh në Gaza, ne jemi të bindur që është koha për një armëpushim që duhet lidhur me lirimin e pengjeve dhe patjetër që duhet nga një forcë e përbashkët e 5 vendeve të Lindjes së Mesme dhe Turqisë.

Për ne, Turqia është një aktor i pazëvendësueshëm për garantimin e së nesërmes për Gazën dhe për Izraelin vetë”, u shpreh Rama.

Ai nënvizoi gjithashtu se ka diskutuar me presidentin turk edhe situatën në rajon dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë.  

“Si gjithmonë e dëgjoj presidentin që është i interesuar për ecurinë e rajonit tonë, për ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe për këshillat e tij që progresi dhe paqja në rajon të jenë çdo ditë e më të forta. Kemi ndarë me presidentin edhe opinionet për konfliktin në Ukrainë”, theksoi Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme