Zgjedhja e presidentit, pse nuk do të ketë një raund të pestë?

Politikë | 4 vite më parë

Partia Socialiste në maxhorancë deklaroi të martën se opozita humbi tre mundësi të arta për të ofruar një, apo disa kandidatë për presidentin e ri të vendit, ndërsa ka rritur shpresat se në fund të javës Shqipëria do të ketë presidentin e ri.

Socialistët thanë se në kushtet e dështimit të opozitës për zgjedhjen e një presidenti konsensual, atëhere është detyrë e PS-së që të zgjidhë ngërçin e krijuar.

Socialistët thanë se duhet ti japin vendit një president për të mos lënë institucionet që të përballen me situata të paparashikuara, thjeshtë edhe për paaftësi të opozitës.

PS shprehet se zgjedhja e presidentit në raundin e katërt nuk do të jetë më në “rënie të lirë”. Zgjedhja do të formësohet në rrugë politike dhe parlamentare, me, apo pa bashkëpunimin e opozitës thanë socialistët.

Raundi i katërt vendimtar?

Pas tre raundeve kur PS i ofroi opozitës një bashkëpunim të lloit të veçantë në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, duket se ajo ka vendosur që ta zgjidhë problemin në raundin e katërt, duke mos lejuar “surpriza”.

Lajmi ka gjeneruar më parë nga vetë kryetari i PS dhe kryeministri Edi Rama, i cili ka kujtuar se, sipas ligjit, PS i ka votat për ta zgjedhur kreun e ri të shtetit.

Është e qartë se raund të pestë, i cili është edhe raundi final për zgjedhjen e presidentit, nuk do të ketë. Votimi me “foto finish” i presidentit, mund të mbartë jo pak komplikacione dhe supriza, pasi, në rast dështimi, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. 

PS, parimisht, i ka votat për të zgjedhur presidentin me shumicë të thjeshtë parlamentare 70+ 1. Në këto kushte, socialistët duket se nuk kanë përse të shkojnë drejt një formule kompromisi të pambarimtë dhe me jo pak të panjohura me opozitën, kur vetë opozita “dogji” tre raundet e para për të nominuar një, apo disa kandidatë për president.

Kush do të jetë kandidati?

Pas zhvillimeve të fundit, tashmë i vetmi interes apo kuriozitet është se kush do të jetë kandidati. Deri tani kanë qarkulluar jo pak emra. Kryeministri Rama ka thënë se kreu i shtetit nuk do të vijë nga radhët e deputetëve, ndërsa nuk ka fshehur preferencën për zgjedhjen në krye të shtetit të një zonje. 

Ecejakjet e opozitës duke mos paraqitur emra, por duke u ndalur në procedura, kritere, duket se synonte të mbarte dhe një “eklips strukture“, që kishte të bënte me faktin se mbledhja e 20 firmave të nevojshme nga deputetët e opozitës, për të çuar në votim kandidatin apo kandidatët për President, dukej si mision i pamundur. Socialistët bënë një mbrojtje në parim ligjore, pasi procedurat dhe kriteret që duhet të plotësojë kandidati për President i përcakton Kushtetuta dhe jo marrëveshjet ndërpartiake.

Fakti që edhe pas 3 raundesh opozita nuk arriti të nominojë një emër, bëri që PS, ndërkohë, të marrë masat për të mos krijuar të papritura në apektin ligjor dhe institucional.

Ndonse PS nuk ka artikuluar një emër zyrtar si kandidat për president, kuptohet qartë se socialistët në parti dhe në Kuvend, nuk do të krijojnë hapësira për hamëndje për raundin e pestë. Në kushtet kur opozita “dogji” tre raunde, PS moralisht ndjehet e çliruar për të operuar e vetme në këtë drejtim. Votat, në parim, nuk janë problem brenda PS. I vetmi problem mund të jetë konsensusi rreth kandidaturës, por që ka pak gjasa të krijojë plasaritje brenda PS-së, kur janë ende në vitin e parë të konsumimit të mandatit të tretë në qeverisje. Në raundin e katërt, presidenti zgjidhet me shumicën e thjeshtë të deputetëve. Socialistëve u mjaftojnë votat e tyre. Prandaj e shtuna e 4 qershorit pritet të zgjedhë  presidentin e 7-të të Shqipërisë. a.meta

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme