Zgjedhjet 2025, Edi Rama: Drejt finishit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian

Zgjedhje 2025 | 1 vit më parë

Ndërsa vendi i afrohet zgjedhjeve, Kryeministri Edi Rama po intensifikon fushatën e tij politike me theks në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

Në fjalën e tij në Lushnjë dhe Divjakë, shtoi se mandati i katërt i Partisë Socialiste do të jetë vendimtar për projekte të mëdha zhvillimore, me fokus në krijimin e një baze ushqimore kombëtare dhe përmirësimin e infrastrukturës bujqësore.

“Do të bëni të mundur që nga numërimi i 11 majit të dali fitorja më e bukur e PS, kemi fituar në mënyrë të përsëritur në Lushnjë dhe në Divjakë dhe kemi bërë gjithçka kemi mundur. Sot fal punës që kemi bërë dhe mbështetje që na keni dhënë kemi arritur të bëjmë një transformim të madh që nga qendrat e qyteteve të këtij qarku dhe së bashku ja kemi dal që të rrisim në mënyrë shumë të ndjeshme prodhimin dhe eksportet bujqësore. Ashtu sikur ja kemi dal për të ndërtuar shkolla të reja, hapësira të reja për fëmijët, ashtu sikurse kemi krijuar kushte të tjera për të gjithë ata që kanë nevojë për qendrat shëndetësore dhe plotë gjëra të tjera. Por kemi ende gjëra të mëdha për të bërë së bashku dhe besoj se ky mandat i 4 do të jetë një moment shumë i rëndësishëm për Lushnjën dhe Divjakën në një aspekt shumë të veçantë siç është krijimi i një baze të vërtet ushqimore të vendit. Në krijimin e vërtet infrastrukture”, u shpreh Rama.  

Në vijim të fjalimit të tij Rama theksoi edhe njëherë synimin strategjik për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sipas Ramës, objektivi konkret është nënshkrimi i marrëveshjes së anëtarësimit deri në vitin 2027.

“Ky vend i cili jeton në zemër të Evropës nuk mund më të jetoj si një popull i huaj në kufij me Evropën por është koha që të bëhet popull evropian i barabartë me popujt e tjerë evropian jo vetëm me zakon por edhe me ligj që do të thotë me një dokument të një identiteti të ri në pasaportën e BE. Të nënshkruajmë marrëveshjen brenda 2027 dhe ta çojmë Shqipërinë në sallonin e madh të asaj shtëpie brenda kësaj dekade”, tha Rama.

Rama theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 11 majit, duke i krahasuar ato me momentet kyçe të tranzicionit demokratik të Shqipërisë në vitin 1992. Ai u bëri thirrje qytetarëve që ta trajtojnë këtë proces jo thjesht si një akt votimi për një qeveri, por si një moment historik që mund të përcaktojë të ardhmen europiane të vendit.

“Kemi votuar tanimë shumë herë. Nuk qëllon që zgjedhjet për qeverinë  e ardhshme, apo për kryetarin e ardhshëm të bashkisë apo për këshillin e ardhshëm bashkiak të përkojnë dhe me historinë. Qëllon shumë rrallë. Mund të mos qëllonte asnjëherë, por ja që është e dyta është që historia dhe zgjedhjet për një qeveri të radhës bashkohen me njëra-tjetrën. U bashkuan në mars të vitit ’92 kur shqiptarët masivisht votuan PD dhe pse shumica e tyre nuk ishin mbështetës të PD, gjë që e treguan zgjedhjet e 6 muajve më pas të pushtetit vendor, por ama votuan PD sepse i bashkoi vendi dhe i bashkoi ora e historisë së shqiptarëve për të bërë ndarjen e plotë, të qartë, përfundimtare me të shkuarën dhe për ta përqafuar përfundimisht Evropën.

Në 11 maj është e njëjta gjë, është ekzaktësisht e njëjta gjë. Në 11 maj, ne duhet të shkojmë në votim me sensin e urgjencës. Është urgjenca përpara të cilës na ka vendosur historia, duke bërë që të jemi i pari vend nga të gjitha vendet ish komuniste nga negociatat me BE, të cilit i jepet mundësia që t’i mbyllë të gjitha negociatat në vetëm 3 vjet. Por ama, kjo nuk është një dhuratë. Kjo është diçka, që e kemi arritur me shumë mund, por për të cilën na ka ndihmuar dhe Zoti, duke bashkuar yllin e fatit tonë me yjet e fatit të BE.

Dhe ashtu siç kjo mundësi na ka ardhur në dorë, ashtu kjo mundësi mund të na ikë nga dora, nëse ne me dorën e hapur tamam kështu siç thonë dhe gishtat e kësaj dore, numri 5 nuk e kapim këtë mundësi dhe ta bëjmë një realitet të së nesërmes të Shqipërisë, të gjithë shqiptarëve dhe të fëmijëve tanë.

Ju e dini shumë mirë çfarë duhet të bëni në 11 maj, përderisa keni ardhur sot këtu dhe përderisa jeni se bashku këtu dhe përderisa akoma i duroni fjalimet e mia, që me siguri kushedi sesa herë i keni dëgjuar deri tani. Por, ajo që duhet bërë deri në 11 maj, nuk është thjeshtë që të prisni që të vijë momenti dhe të shkoni të votoni, por që çdo moment deri në atë moment ta shfrytëzoni për të bërë të tjerë me vete”, u shpreh ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme