Zgjedhjet e 14 majit/ Celibashi: Sfidë, votimi elektronik në Elbasan, Kamëz dhe Vorë

Aplikimi i votimit elektronik në 3 bashki, përkatësisht Elbasan, Kamëz dhe Vorë, do të jetë një sfidë për KQZ-në në zgjedhjet lokale të 14 majit. I ftuar në emisionin “Publikisht” të Blerta Tafanit në RTSH, Celibashi bëri me dije se KQZ kishte rekomanduar që votimi elektronik të aplikohej në 6 bashki të mëdha, por shtoi se buxheti i përcaktuar lejonte aplikimin në vetëm 3 bashki.
Kreu i KQZ-së sqaroi se në varësi të eksperiencës në këto 3 bashki, do të përcaktohet më pas nëse votimi elektronik do të shtrihet në më shumë bashki në zgjedhjet e ardhshme, apo në të gjithë territorin.
“Nga pikëpamja infrastrukturore është që KQZ i ka qëndruar kalendarit, sfidë është zhvillimi i votimit elektronik në Elbasan, Kamëz dhe Vorë. Sfidat e tjera mendoj se janë në trendin e eksperiencave të shkuara të KQZ dhe nuk besoj se do kemi probleme. Ne rekomanduam që të zhvillohej votimi elektronik në 6 bashki, kryesisht në bashki të mëdha, prezantuam këtë kërkesë edhe te partitë politike por edhe tek Kuvendi dhe qeveria për aspektet e financimit, por buxheti që iu vu në dispozicion KQZ nga buxheti i shtetit krijoi mundësi për ta zhvilluar këtë projekt vetëm në 3 bashki dhe për kohën që patëm në dispozicion nga momenti që u bë lëvrimi i buxhetit do ishte ndoshta e pamundur për KQZ që ta shtrinte në më shumë se 3 bashki. Për ta shtrirë më gjerë këtë projekt do të presim eksperiencën në Elbasan Vorë dhe Kamëz për të parë nëse mund të zgjerohet apo shtrihet në të tërë territorin e vendit”, tha Celibashi.
Edhe njëherë, Celibashi shoi çdo dyshim në lidhje me sigurinë e votimit elektronik, teksa garantoi se nuk ka asnjë mundësi që të ndërhyhet në rezultatin e votimit.
“Sistemi që aplikojmë është 100% i sigurt, nuk ka asnjë mundësi qoftë dhe teorike që një i tretë të ndërhyjë në rezultatin e votimit. Janë pajisje të dizanjuara posaçërisht për Shqipërinë. Pajisjet punojnë në mënyrë autonome, nuk janë të lidhura në asnjë rrjet dhe janë të sigurta”, theksoi Celibashi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




