Zgjedhjet lokale/ Këlliçi takim me qytetarët në Sauk: 200 mijë qytetarë do përfitojnë nga transporti urban falas

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi vijon me fushatën elektorale, teksa ka prezantuar programin e tij në një takim me banorët në zonën e Saukut.
Ai u ndal veçanërisht te premtimi i tij për transportin publik falas, duke theksuar se do të jetë një shërbim nga i cili do të përfitojnë çdo ditë 200 mijë qytetarë të Tiranës.
“Kam dhënë një premtim për transportin publik falas. Fare e lehtë, fare e lehtë. 6.8% e buxhetit total të bashkisë, shkon për 200 mijë qytetarë në ditë. Dolën dhe thanë fillimisht, kjo është tallje. Në rregull! E provuan dy ditë, u ra kjo tezë. Dolën thanë nuk bëhet, nuk paska lekë. Po kur paska lekë për 430 milionë euro për incenerator fantazëm, nuk paska lekë për 200 mijë qytetarë të Tiranës. 16.5 milionë euro në vit, për t’i shërbyer qytetit? Problemi është se unë llogaritë i kam bërë fare thjeshtë: kam hyrë në këtë garë, dhe dua kur të dal nga jeta publike dhe politike, dua të dal me faqe të bardhë”, u shpreh Këlliçi.
Po ashtu Këlliçi premtoi edhe ato që i quajti “oaze të gjelbra” për lagjet, teksa tha se ato do të ndikojnë në rritjen e jetës komunitare.
“Nga ana tjetër kam premtuar oazet e gjelbra për lagjet, për ata që jetojnë në lagje e Tiranës me 200 metra katror me bë një kënd pushimi me stola, me pemë, me ndenjtë, qoftë mosha e tretë, qoftë të rinjtë, qoftë me nxjerr fëmijët, qoftë me pas një jetë komuniteti. Unë jam një fëmijë që jam rritur në vitet 1990. Jam rritur duke luajtur top në lagje, si të gjithë ata që janë brezi im. Sot është e tmerrshme. Një pjesë e madhe e prindërve kanë probleme me fëmijët e tyre për shkak se nuk janë socialë. Nuk dinë të lozin, rrinë gjithë ditën o në tabletë o në lokal. Dhe kjo nuk është normale, kjo që po i bëhet Tiranës. Jam në këtë betejë për një qytet normal”, tha Këlliçi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



