Zgjedhjet në Rrogozhinë/ KQZ kërkon të respektohet heshtja zgjedhore: Sot është dita e qytetarëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka tërhequr vëmendjen e përfaqësuesve politik dhe kandidatëve që të respektojnë heshtjen zgjedhore dhe solemnitetin e ditës së votimit.
Në një reagim KQZ shprehet se “sot është dita e qytetarëve që kanë të drejtën e zgjedhjes dhe se deklaratat politike cënojnë standardet e procesit zgjedhor dhe janë në shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor“.
Gjithashtu, KQZ tërheq vëmendjen e Komisioneve të Qendrave të Votimit që të respektojnë Kodin Zgjedhor dhe të mos lejojnë persona të paautorizuar në Qendrat e Votimit.
Pasi siç thuhet në reagimin e KQZ “në QV dhe rreth tyre lejohen vetëm zgjedhësit, vëzhguesit e akredituar dhe stafi teknik i KQZ”.
Rreth 33 mijë qytetarë të bashkisë Rrogozhinë i janë drejtuar këtë të diel qendrave të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun e tyre. Përballë janë dy kandidatët, ai i Partisë Socialiste, Edison Memolla dhe i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha.
Shkak për ripërsëritjen e procesit u bë kutia e votimit në institucionin e vuajtjes së dënimit në Rrogozhinë, ku rezultoi se numri i votave ishte më i madh se ai i diferencës mes dy kandidatëve. Ndryshe nga 14 maji, të burgosurit nuk do lejohen të votojnë për shkak të afateve kohore.
Sipas KQZ deri në orën 11:00 pjesëmarrja në votime është rritur 24.11%.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




