Zgjedhjet në SHBA/ Republikanët e Trump s’korrin fitoret që prisnin, Biden: Një ditë e mirë për demokracinë

Presidenti i SHBA, Joe Biden, ka shprehur lehtësim pasi demokratët shmangën fitoret e mëdha republikane në zgjedhjet afatmesme. Republikanët po shkojnë drejt kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve, por Biden vuri në dukje se një “valë e kuqe gjigante” nuk u materializua të martën mbrëma.
Secila palë mund të fitojë ende Senatin, i cili varet nga tre gara në tre shtete kyçe, Nevada, Arizona dhe Georgia.
Partia në pushtet, aktualisht Demokratët, zakonisht pëson humbje në zgjedhjet e para afatmesme të presidentit. Strategët republikanë kishin shpresuar për fitore gjithëpërfshirëse, duke pasur parasysh se inflacioni është në nivelin më të lartë të 40 viteve. Por të dhënat e sondazhit të daljes sugjerojnë se votuesit mund të kenë ndëshkuar republikanët për përpjekjet e tyre për të kufizuar aksesin ndaj abortit.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën pasdite, Biden tha se rezultatet e deritanishme e kishin bërë atë të merrte “frymë lehtësisht”. “Ishte një ditë e mirë, mendoj, për demokracinë,” tha ai.
Ndërkohë, republikanët po i afroheshin 218 vendeve që u nevojiten për të hequr kontrollin e Dhomës nga Demokratët. Nëse republikanët fitojnë njërën nga dhomat e Kongresit, ata do të jenë në gjendje të bllokojnë axhendën e presidentit./ BCC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




