Zgjedhjet vendore/ Meta: Fitore bindëse në Tiranë, Durrës dhe Elbasan! Nuk ndalim protestat

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është shprehur optimist për fitore në qarqet e Elbasanit, Tiranës apo dhe Durrës në kuadër të zgjedhjeve vendore që do mbahen në 14 maj. Nga Elbasani, teksa ka zhvilluar një takim me strukturat e PL-së, Meta tha Partia e Lirisë do të mbështesë të gjithë kandidatët e Primareve që u zhvilluan nga Procesi i Rithemelimit.
“Ne si PL kemi një marrëveshje publike me PD-në, do mbështesim kandidatët e Primareve në gjithë Shqipërinë. Marrëveshja jonë është shumë e qartë, ku fillimist këshillat bashkiakë do i rikthehen qytetarit ku do ketë seanca të veçanta ku qyterarët do konsultohen për problematikat e tyre. Ajo që duam është transparenca para qytetarëve. Pritshmëritë janë për një fitore bindëse në Elbasan, Tiranë dhe në Durrës”, tha Meta.
Ndalur tek protestat e opozitës, Meta tha se aksioni i tyre do të vazhdojë, teksa theksoi se ata do të sjellin ndryshimin.
“Fati i protestave është ngritur me fatin e akuzave, kauza është rivendosja e demokracisë, rivendosja e llogaridhënies dhe ndëshkimi i këtij krimi dhe korrupsioni që ka pushtuar botën për shkak të Rilindjes”, tha Meta.
I pyetur nga gazetarët për dëshminë e tij në SPAK, Meta tha se nuk ka asnjë shqetësim me drejtësinë. “Kujtova se më kishin thirrur për inceneratorët, për ato miliarda euro që janë vjedhur. Nuk kemi asnjë shqetësim me drejtësinë, pasi kam qenë korrekt në zbatim të kushtetutës” tha kreu i PL-së.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u paraqit një ditë më parë në SPAK (22 shkurt 2023) ku u përgjigj para prokurorëve për 3 orë për çështjen CEZ-DIA. Meta bëri me dije se ai nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje, por se ka dhënë dëshmitë e tij si person që ka dijeni për çështjen.
Dosja e CEZ-DIA është rihapur në prill të vitit 2022, pas një kallëzimi në SPAK nga Partia Socialiste, për vjedhje të parave publike. Shitja e 75 % të aksioneve të OSSH tek CEZ-DIA u cilësua abuzive dhe prishja e kësaj kontrate i shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm mbi 414 mln euro.
Për këtë çështje deri më tani është dënuar Kastriot Ismailaj me 11 vite burg për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”. Ai ishte administrator i kompanisë DIA, e ngarkuar për mbledhjen e borxheve të CEZ, ku u përfshi në një skemë mashtrimi, duke shkatërruar edhe raportet mes shtetit shqiptar dhe CEZ, me kosto të madhe për buxhetin e shtetit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




