Zgjedhjet vendore, PL nis fushatën elektorale nga Kukësi, Meta: 14 maji, dita e ndryshimit!

Partia e Lirisë nis zyrtarisht fushatën për zgjedhjet vendore të 14 majit në Kukës. Kryetari i kësaj partie, Ilir Meta, sëbashku me kandidatin e opozitës për kryebashkiak, Admir Sinamati, kanë zhvilluar sot në Kukës një takim me karakter sensibilizues elektoral, në të cilin kanë theksuar vendosmërinë e opozitës jo vetëm për të fituar në këtë qytet, por në të gjithë Shqipërinë.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Meta është shprehur me superlativa për kandidatin e opozitës. Sipas tij, Kukësi është Qarku më i prekur nga drama e shpopullimit.
“Kjo, sepse qeveria e papërgjegjshme dhe e korruptuar i detyron të rinjtë dhe të rejat të largohen nga vendi. Ne jemi të vendosur që t’i japim fund shpopullimit dhe t’u rikthejmë të rinjve kuksianë dëshirën që të ardhmen e tyre ta ndërtojnë në Shqipëri. 14 Maji, dita e ndryshimit të madh për Kukësin dhe të gjithë Shqipërinë. Admir Sinamati një qytetar model dhe i përkushtuar për t’i rikthyer Kukësit shpresën dhe zhvillimin ekonomik.”- deklaroi Meta.
Kryetari i PD Kukës, Admir Sinamati, në këtë takim, ka parashtruar edhe platformën e tij.
“Kam vendosur të marr pjesë në këtë proçes politik jetik dhe demokratik përzgjedhës, të kërkoj votbesimin tuaj për të më nominuar si kandidat i PD dhe opozitës aktuale për kryetar Bashkie në Kukës duke iu siguruar se oferta ime është oferta e nje biri që e do pa kushte vendlindjen e tij, e një intelektuali që betohet në emër të parimeve të barazisë dhe së drejtës njerëzore, e një politikani që ka yll polar votën e lirë dhe besimin në vlerat e demokracisë”- u shpreh ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




