Zgjerimi i BE, Rama: Autobus i ngadalshëm, por Ballkani Perëndimor mund të durojë

Politikë | 3 vite më parë

Pasi Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhei (Varhelyi), dha dakordësinë për propozimin e presidentit të Këshillit Europian, Sharl Mishelit (Charles Michel) që BE-ja të shohë mundësinë e zgjerimit në vitin 2030, ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama.

Kryeministri e krahasoi procesin e zgjerimit me një autobus të ngadalshëm, i cili mbetet “një vend interesant për të qëndruar edhe pse nuk ka vend të lirë”.

“KOMISIONERI YNË që nuk e zhgënjeu kurrë rajonin tonë, veçanërisht në kohë të vështira.

Duhet pranuar se pas fjalimit të papritur të Presidentit Michel në Forumin Strategjik të Bled, autobusi i ngadalshëm i BE-së po bëhet një vend interesant për të qëndruar edhe pse nuk ka vend të lirë – padyshim që pasagjerët e Ballkanit Perëndimor mund ta durojnë më mirë kohëzgjatjen e gjatë të udhëtimit duke ndjekur bisedën me zë të lartë mes djemve që janë ulur,” shkroi Rama në rrjetin social X.

Komisioneri Varhei deklaroi më herët se Komisioni Europian ka qenë gjithmonë i gatshëm për ta ndihmuar rajonin në rrugëtimin drejt BE-së.

“E mirëpres që Këshilli dëshiron të angazhohet më në fund dhe të bëjë një hap të madh për të realizuar Zgjerimin.

Komisioni Evropian ka qenë gjithmonë i gatshëm të bëjë çdo propozim, që do të na çonte drejt zgjerimit në vitin 2030,” ka thënë Varhei.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme