Zhdukja e Ervis Martinajt, Berisha: Prokuroria mban një trup me gjashtë copa

Kryetari i Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit Sali Berisha në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar ka komentuar sërish hackerimin e sistemit TIMS nga iranianët. Sipas Berishës, në pikat kufitare qarkullojnë lirisht të kërkuarit nga drejtësia pasi siç thotë ai, sistemet nuk funksionojnë. Për Berishës, sulmet kibernetike tregojnë shpërbërjen e plotë të shtetit ligjor.
“Në zhvillimet e fundit në vend gjithçka, çdo e dhënë e fshehtë që ka ekzistuar në arkivën e vendit për bandat dhe kriminelët sot është në treg dhe kjo përbën një zhvillim në pamje të parë shumë tronditës. Kur mendohesh dhe arsyeton e konstaton se banditët më të mëdhenj të këtij vendi, shefat e bandave të vendit janë në Parlament, në qeveri dhe institucione atëherë është e kotë të dramatizosh një diçka që në një vend normal është me të vërtetë dramatike. Sot pikat tona kufitare qarkullojnë lirshëm, hyjnë e dalin të kërkuar e të pakërkuar sepse sistemet nuk funksionojnë. Përsëri sot ortakët e tyre hyjnë në Parlament, hyjnë në qeverie dhe hyjnë në institucione. Po të krahasosh se pasuritë e krijuara nga ata me akte malavite , krahasuar me ministra dhe zv.ministra të tjerë me firmë qeveritare janë thërrime me krahasimet e tyre. Është e vërtetë që ishte një sulm i një fuqie armike, por këto kanë ndodh rëndom nga vetë qeveria dhe bandat e saj. Këto kanë ndodhur siç e dinë të gjithë shqiptarët rëndom nga vetë qeveria dhe bandat e saj. Ajo që po ndodh në Shqipëri është shpërbërja e plotë e shtetit ligjor. Nëse ndalemi në vendimin e qeverisë, të quajtur të tillë për pallatet dhe shtesat pa leje, është akt i pashembullt, ku me ligj qeverie merren në mënyrë flagrante funksionet e parlamentit. Me vendim qeverie pushohen çështjet gjyqësore, e bllokohet sistemi i drejtësisë. Me vendim qeverie autorë të këtyre ndërtimeve pa leje dënohen. Bazuar në këto dispozita, për një kotec, për një gjysmë çatie, për një avlli, apo një shtesë dhomë apo kat, janë dënuar me burg 3 400 qytetarë shqiptarë. Kur vjen problemi te kullat e qeverisë, pallatet e qeveritarëve dhe klientelës së tyre, për ata ligji nuk ekziston. Edi Rama bën vendimin e amnistisë së tyre. Ky është provokacion i ultë për çdo shqiptar. Është dhunim i parlamentit, i cili me kushtetutë është i vetmi institucion që ka të drejtën e amnistisë”, tha Berisha.
Më tej, kreu i PD ka bërë akuza të forta lidhur me Ervis Martinajn për të cilin tha se Prokuroria duhet të flasë pasi sipas tij, thuhet se mban një kufomë të ndarë në 6 pjesë.
“Nuk ka sektor që ky nuk ka shtrirë tentakulat e veta. Ia morën lojërat e fatit Ervis Martinit dhe tani thotë ku është. E di vetë ai ku është. Ai ishte biznesmen i lojërave të fatit. Olsi Rama është përfolur si njeriu në hije i lojërave të fatit. Shko e pyet Baton Stanishiçin dhe Ymer Çorapen se ata e dinë. A nuk shkruajtën ata se është në gjashtë copa në prokurori. Një njeri i zhdukur dhe një shtet bandit që thotë se është në gjashtë copa në prokurori. Do thoni ju, nuk e tha Fuga, por e thanë Fugat e tij. A ka njerëz më të afërt? A nuk ishte Baton Stanishiçi që na thoshte para tre muajsh se Linda është për presidente. Ai nuk e thoshte nga mendja e tij. Ai është zëdhënës i familjes në këtë formë. Po kjo çfarë prokurorie është që thuhet se mban një trup me gjashtë copa dhe nuk bën një përgënjeshtrim? Sepse kontrollohet nga Rama. Nëse është në gjashtë copa, familja njoftohet. Është kod shekullor”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




