Zhvatin qytetarët përmes mashtrimit në internet/ Policia e Shtetit: Ju vjedhin duke përdorur emrin tonë

Aktualitet | 3 vite më parë

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se në internet ka nisur një fushatë mashtrimi duke iu zhvatur paratë qytetarëve duke përdorur emrat e titullarëve të këtij institucioni.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike thekson se ka nisur puna policore për parandalimin e pasojave, për hetimin e ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike është vënë në dijeni për një fushatë mashtrimi nëpërmjet sistemeve kompjuterike, e cila synon persona fizikë dhe juridikë, pa dallime të caktuara, me qëllim marrjen e shumave të ndryshme monetare”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, shpjegohet edhe mënyra që ndjekin mashtruesit për të zhvatur qytetarët, të cilëve iu dërgohet një mesazh në postën elektronike, shoqëruar me dokumentin e rremë që i bashkëngjitet këtij mesazhi.

Për të rritur besueshmërinë e veprimtarisë së tyre, mashtruesit përdorin emrat e titullarëve të Policisë së Shtetit.

Për këtë arsye, ky institucion fton qytetarët “të denoncojnë menjëherë në adresën e postës elektronike ç@asp.gov.al, të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, e cila është duke kryer hetime intensive dhe në ditët në vijim do të japë më shumë informacion rreth kësaj fushate mashtrimi.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme