Zjarr gjatë orëve të para të mëngjesit në Urgjencën e QSUT-së, situata vendoset në kontroll. S’ka të lënduar

Urgjenca e re e QSUT-së u përfshi nga flakët mëngjesin e kësaj të diele (11 shkurt). Policia bën me dije se ngjarja u regjistrua rreth orës 05:30 në katin -1 të urgjencës, por fatmirësisht zjarri u vu nën kontroll shpejt nga zjarrfikësit.
Flakët tashmë janë shuar, ndërsa nuk ka patur persona të lënduar. Për arsye sigurie, stafi dhe pacientët u evakuuan.
Paraprakisht shkak i zjarrit dyshohet të jetë bërë një shkëndijë elektrike.
“Më datë 11.02.2024, rreth orës 05:30, në Rrugën e Dibrës, dyshohet se si pasojë e një shkëndije, ka rënë zjarr në katin -1, te urgjenca e re. Shërbimet e Policisë në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, menjëherë kanë bërë evakuimin e stafit mjekësor dhe pacientëve. Zjarri është fikur dhe si pasojë e tij nuk ka persona të dëmtuar”, njofton policia.
Ministria e Shëndetësisë ka reaguar duke bërë me dije se tashmë situata është vendosur nën kontroll.
“Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në katin -1 të godinës së QSUT është raportuar tym. Menjëherë janë marrë masat për sigurimin e pacientëve të shtruar dhe situata u vu nën kontroll në një kohë rekord dhe shkaqet e tymit po hetohen. Situata është në monitorim të vazhdueshëm dhe pacientët janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën, falë angazhimit të personelit mjekësor dhe atij zjarrfikës. Çdo gjë është nën kontroll dhe gjendja paraqitet e qetë”, sqaron Ministria.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



